Teuta mposht Skënderbeun, Tetova: Tri pikë të rëndësishme për kreun

Teuta mposhti me rezultatin e pastër 2-0 Skënderbeun në stadiumin “Niko Dovana” dhe vijon të ruajë kreun e klasifikimit pas javës së gjashtë të kampionatit.

Trajneri Edlir Tetova përgëzoi ekipin për performancën e treguar, ndërsa pranoi se kartoni i kuq ndikoi në lojën e skuadrës gjatë pjesës së dytë.

Fitorja – “Mendoj mirë, sigurisht që ishte ndeshje e mirë, sidomos në pjesën e parë. Pastaj ekipi i Skënderbeut na vuri në vështirësi për formën e presingut nga ekipi im. Nga momenti kur u rinisëm apo balancuam format e presingut, u ndëshkuam me të kuq dhe pastaj menduam vetëm për mbrojtjen. Skënderbeu ndryshoi skemën dhe ne, brenda skemës që kishim, kishim mënyrë tjetër presingu. M’u desh të ndryshoja rreshtimin që të kishim më të qartë presingun. Me 2-0, sigurisht, është një rezultat jo shumë i favorshëm, je në avantazh, por futbolli i ka këto gjëra dhe ishte shumë shpejt të ktheheshim mbrapa. Me 10 lojtarë, me ndërhyrjet që bëmë, ishim më të balancuar dhe nuk lamë hapësira”.

Mbrojtja nuk fut ujë – “Sigurisht që sulmi shënon golat dhe mbrojtja të afron me kampionatin. Mbrojtja që nuk pëson i jep besim pjesës tjetër të skuadrës të jetë aktive përpara. Ky është ligji i futbollit. Por siç e patë, skuadra me 10 lojtarë, se nuk po flas për pjesën e parë, ku ishim perfektë, me çdo aksion ishim para portës dhe më të qetë mund të shënonim dhe të thellonim rezultatin. Por e rëndësishme është që skuadra del, shkon ku duhet. Jemi bashkuar te ajo që kërkoj, ka shpejtësi veprimi, por kjo do vazhdimësi gjatë 90 minutave, se kundërshtari merr masa, siç ndodhi në pjesën e dytë. Ajo që më pëlqen shumë është ajo vuajtja e pjesës mbrojtëse, se nuk lamë hapësira”.

Hierarkia Pedro-Umejiego – “Nuk besoj, se ua kam shpjeguar lojtarëve se kush më duhet, atë do fus dhe jemi bashkuar te kjo pjesë. Shumica e dinë që bëj rotacion, si me Votlain, ashtu edhe me Maçollin, ku më duhet njëri dhe ku më duhet tjetri. Sigurisht, priten edhe dy çunat e dëmtuar në mbrojtje, Bajrami dhe Kukleci, që janë në fund të fazës së rikuperimit, dhe mendoj se pastaj skuadra është e plotë”, tha Tetova pas ndeshjes. /kfteuta.al/