
Teuta do të rikthehet këtë të shtunë në fushën e blertë, për llogari të javës së gjashtë të Abissnet Superiores.
Kundërshtari i radhës është Skënderbeu, një ekip që meriton vlerësim maksimal, pavarësisht pozicionit në klasifikim.
Pauza e kampionatit, për shkak të impenjimeve të kombëtareve, i ka shërbyer trajnerit Edlir Tetova për të konsoliduar grupin dhe për të përcjellë idetë e tij te lojtarët.
Gjithashtu, kjo periudhë ka ndikuar pozitivisht te futbollistët që u bashkuan me ekipin në momentet e fundit të merkatos së verës dhe nuk kishin arritur ende formën optimale.
Për t’i mbajtur lojtarët në ritmin e duhur, ekipi zhvilloi edhe dy ndeshje miqësore, një me Besëlidhjen dhe një tjetër me Kukësin, të cilën e fitoi me rezultatin e thellë 5-0.

Lajmi i mirë për trajnerin durrsak është edhe rikthimi i disa futbollistëve të rëndësishëm, të cilët vuanin nga dëmtimet.
Kapiteni Artan Jazxhi ka lënë pas dëmtimin, ashtu si edhe mbrojtësi Geraldo Bajrami, nga i cili ka pritshmëri të mëdha.
Teuta vjen në këtë përballje me një bilanc pozitiv ndaj Skënderbeut. Në 10 takimet e fundit mes tyre, “Djemtë e Detit” kanë arritur gjashtë fitore, dy sfida janë mbyllur në barazim, ndërsa dy të tjerat janë fituar nga korçarët.
Në stërvitjen e së premtes, trajneri Tetova, përveç aspektit teknik, u përqendrua edhe te goditjet standarde dhe strategjia që skuadra do të aplikojë ndaj Skënderbeut.
Optimizmi është i madh në kampin durrsak, ku synimi është vazhdimi i serisë së fitoreve dhe ruajtja e kreut të klasifikimit. Në pesë takimet e para, Teuta ka regjistruar një barazim dhe katër fitore radhazi.
Teuta ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit, me vetëm dy gola të pësuar, si dhe sulmin e dytë më të mirë, me 10 gola të shënuar, mesatarisht dy gola për ndeshje.
Teuta-Skënderbeu luhet këtë të shtunë, në orën 18:30, në stadiumin “Niko Dovana”! Merr një mik dhe eja të mbështesim së bashku “Djemtë e Detit”, për ta kthyer këtë sfidë në një festë të vërtetë sportive! /kfteuta.al/



