Teuta mposht Tiranën, trajneri Tetova: Fitore karakteri, po rritemi…

Trajneri i Teutës, Edlir Tetova, u shfaq i lumtur pas suksesit 3-1 ndaj Tiranës, me përmbysje në stadiumin “Niko Dovana”. Tekniku durrsak e cilësoi këtë një fitore karakteri, ndërsa theksoi se skuadra është në rritje.

Debutimi me fitore në shtëpi – “Sot ishim më ndryshe nga ndeshja me Partizanin, ishim në manovër. Mendoj se ndërrimet dhanë efekt në pjesën e dytë, por edhe pjesa e parë nuk mbetet mbrapa. Tirana mbrohej në 35 metra dhe ishte e vështirë ta çanim. Kishim vështirësi për të gjetur pasimin mes linjave për të zhvilluar manovrën tonë.

Nuk është e njëjta logjikë, sepse janë lojtarë me karakteristika të ndryshme. E thashë edhe pas ndeshjes së kaluar, më duhet punë, kam punë për të bërë. Duhet të futemi në logjikën e asaj që kërkoj unë për të shkuar drejt portës. Mendoj që koha është armiku ynë”.

Disavantazhi – “Pas golit kishim 5-6 minuta që çdo lojtar humbte topin, ishim të nxituar. U kërkova çunave që të ishin më të qetë për të marrë ritmin, por më pas çdo gjë na erdhi për shtat me fikjen për herë të dytë të dritave. Aty besoj se e kuptuan çunat se çfarë duhej të bënin”.

Umeijego – “Zakonisht sulmuesit që unë stërvit nuk bëjnë shumë gola. Por kjo ishte një strategji ndryshe në pjesën e dytë, që të kishim më të lirë Pedron për të çuar Umeijegon në zonë. Mendoj se atë e bën shumë mirë, por në pjesën e parë duhej të ishte më aktiv në kërkimin e topit.

Megjithatë, ai është një lojtar që ka gati 6 muaj që nuk luan dhe mendoj se do të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje”.

Përmbysja – “Çfarëdo lloj gjëje që them bie poshtë me kthimin e rezultatit. Lojtarët treguan që kanë uri dhe duan të shkojmë te goli. Mendoj që nuk reshtëm në asnjë moment. I kam treguar që në momentet e vështira, të paktën të mos humbasin pjesën e agresivitetit”, tha Tetova për RTSH. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *