
Teuta pësoi një humbje të rëndë në “Arena Egnatia”, që e largon nga objektivi “Final Four”. Egnatia fitoi 4-2, megjithatë për atë që prodhoi në fushë Teuta, nuk e meritonte humbjen, ndërsa kryefjalë ishin gabimet e repartit defensiv.
Trajneri Enkeleid Dobi nuk e fshehu trishtimin për disfatën, ndërsa theksoi se ekipi duhet të tregojë më tepër pjekuri.
Humbje e thellë – “Mendoj se pak pas golit të dytë, kur barazuam, duhet të ishim më të matur dhe të kishim më shumë pjekuri në mënyrën e sjelljes, vendosjes dhe interpretimit të disa situatave. Në pjesën e dytë, pas golit të tretë, humbëm ekuilibrat. Kartoni i kuq na penalizoi. Është gabim, duhet të jemi të matur. I thashë Maçollit të qëndrojmë deri në fund. Por mendoj se momenti delikat ishte fundi i pjesës së parë. Treguam karakter që barazuam. Na dhemb sepse nuk ishim përgatitur për këtë humbje. Kishim ardhur me plan të qartë, me mënyrë loje dhe interpretim të mirë. U pa deri në minutën e 20-të se kishim komplet kontrollin, por Egnatia u tregua më e matur. Kjo bëri ndryshimin, besoj. Pas kartonit të kuq e humbëm fokusin”.
Kartoni i kuq – “Ky është futbolli, kjo është jeta. Duhet analizuar edhe më thellë. Në të nxehtë kartonin e kuq nuk e kuptoj fare. Sado që pësojmë gol, kemi gjithmonë mundësi. Nuk duhet të ndodhë, sidomos nga kapiteni, një lojtar me eksperiencë. Nuk e pranoj një karton të kuq. Arbitri gabon, por nuk duhet të dalim nga vetja. Mentaliteti dhe kultura duhet të tregojnë maturi, mençuri dhe mbi të gjitha edukatë. Futbolli është lojë gabimesh. Sot u ndëshkuam sepse Egnatia ka më shumë eksperiencë. Mos harrojmë se në pjesën e parë ishim 1-1 dhe kishim rastin e Dacit dhe Maçollit”.
Meditimi në pankinë – “Futbolli është i pamëshirshëm dhe i paparashikueshëm. Po mendoja shumë gjëra. Nuk do të fajësojmë Selmanin, është pjesë e lojës, por deri në atë moment Egnatia ishte inekzistente. Nuk është turp të humbësh, por mënyra se si humb duhet parë dhe analizuar. Disa gjëra duhet t’i bëjmë më mirë. Ndonjëherë na mungon pjekuria, na mungon cilësia. Nëse e marrim situatën në tërësi, mendoj se rastet më të pastra i kishim ne, por në fund ndëshkohemi”, tha Dobi. /kfteuta.al/



