
Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, deklaroi për mediat se ekipi duhej të bënte më shumë kundër Tiranës (1-1), por theksoi se edhe fati ka qenë kundër tyre në ndeshjet e fundit.
Barazimi i tretë radhazi – “Statistikat flasin vetë. Normalisht që po çalojmë, por nuk po marrim vendimet e duhura. Janë tre barazime radhazi; me Elbasanin goditëm dy herë shtyllën dhe edhe sot fati na mohoi golin. Nuk e nisëm ndeshjen mirë, nuk ishte ndeshja jonë më e mirë dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Arsyet do t’i analizojmë. Përgjegjësinë e marr unë, ndoshta ekipi nuk e interpretoi si duhet ndeshjen, por mendoj se çaluam në krijimin e situatave që gjatë javës i kemi punuar në stërvitje. E dinim që do të ishte e vështirë, sepse luanim ndaj një ekipi që nuk ka çfarë humbë, është derbi me Tiranën. Analizën do ta bëjmë me qetësi, por sot ndoshta nuk ishte dita jonë më e mirë dhe duhet ta pranojmë. Edhe golin e pësuam shumë lehtë. Na janë dhënë vlerësime për mënyrën si interpretojmë balancën, ndërsa sot bëmë shumë gabime që nuk kanë ndodhur më parë”.
Çfarë nuk funksionoi?! – “Duhet të jemi të vetëdijshëm se në këto momente të vështira secili duhet të japë diçka më shumë. Nga unë i pari, duhet të japim 5–10% më shumë dhe të jemi më kërkues. Kanë mbetur edhe dy ndeshje dhe sot folëm me djemtë që nga nesër secili duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë, duke filluar nga unë. Duhet të rikthehemi te loja, identiteti dhe personaliteti që kemi treguar në ndeshjet e mëparshme. Sot problemi ishte ekuilibri. Në momentin që sulmonim, nuk ishim të balancuar siç duhet. Do ta bëjmë analizën më të saktë, por e pranoj që nuk ishim vetvetja. Kjo krijoi shqetësim për mënyrën se si e interpretuam lojën. Dinim të bënim shkallëzime me vendosmëri, por sot nuk funksionoi. Duhet të reflektojmë për arsyet dhe të jemi më të zgjuar në vazhdim. E prisnim Tiranën në kundërsulm, por nëse nuk interpretohet siç duhet, kjo të krijon probleme”.

Mungesat – “Kishim probleme me ekuilibrin, sidomos kur sulmonim dhe na kapnin në kundërsulm. Janë ndoshta edhe zgjedhjet, por nuk jam nga ata që gjejnë justifikime te mungesat. Edhe ekipet e mëdha, kur u mungojnë 2–3 lojtarë, kanë probleme, por këto janë mundësi për ata që janë pjesë e grupit të tregojnë vlerat e tyre. Mendoj se nuk e interpretuam lojën siç donim dhe siç kemi punuar gjatë gjithë javës. Edhe pse kishim kontrollin, Tirana ishte e rrezikshme në kundërsulme. Bëmë shumë gabime në pasime në metrat e fundit dhe nuk ishim të ekuilibruar në fazat e lojës. Këto janë probleme që duhet t’i analizojmë dhe të marrim masa për ndeshjet në vazhdim”.
E nënvlerësuat Tiranën?! – “Asnjëherë nuk e mendoj një ndeshje të thjeshtë. Ndonjëherë ndodh, edhe pse nuk duhet të ndodhë, dhe nuk ishte momenti i duhur. Tani duhet të marrim masat dhe përgjegjësitë. Zgjedhjet i kisha bërë për krijimtari, duke futur në fushë katër sulmues, por kjo ndoshta na kushtoi në ekuilibër. Gjithsesi, nëse Arifi do të shënonte, ndeshja mund të merrte një rrjedhë tjetër. Ne reaguam, por nuk kishim guximin dhe ekuilibrin e duhur, si dhe nuk ishim të matur në zgjedhjet tona. Nuk krijuam shumë raste; kishim disa, ashtu si edhe Tirana, por detajet bëjnë diferencën. Goli i shpejtë na futi ndoshta në mendime, na befasoi. Ekipi duhej të reagonte ndryshe”, tha Dobi për RTSH pas ndeshjes. /kfteuta.al/



