Trajneri Dobi jep dorëheqjen, ekipi do t’i besohet zëvendëstrajnerit Hodo

Klubi i Futbollit Teuta njofton se trajneri Enkeleid Dobi ka paraqitur kërkesën për dorëheqje dhe, duke filluar nga dita e sotme, nuk do të ushtrojë më detyrën e tij në drejtimin e ekipit të parë.

Klubi shpreh mirënjohjen e tij për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë nga trajneri Dobi gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, duke i uruar njëkohësisht suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale.

Në fjalën e tij, trajneri Dobi falënderon presidentin për mundësinë e dhënë, stafin për bashkëpunimin dhe të gjithë tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.

Gjithashtu, ai shpreh një falënderim të veçantë për ekipin, për angazhimin, sakrificën dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë kohës së bashkëpunimit, duke theksuar se ka qenë një kënaqësi dhe nder të punojë me ta.

Për dy ndeshjet e mbetura të sezonit, drejtimi i ekipit do t’i besohet zëvendëstrajnerit Hodo, në bashkëpunim me pjesën tjetër të stafit teknik. /kfteuta.al/