
Teuta mori një fitore tepër të rëndësishme në stadiumin “Niko Dovana”, duke mposhtur 1-0 Pogradecin.
Goli i Klejdi Dacit i mjaftoi skuadrës durrsake për të siguruar fitoren dhe qëndrimin në Abissnet Superiore.
45 minutat e para ishin të vakëta, me mungesë rastesh të rrezikshme për gol, por në pjesën e dytë loja ndryshoi rrjedhë.
Teuta u shfaq më kërkuese dhe fillimisht ishte Boçi ai që pati një mundësi të artë për të kaluar skuadrën në avantazh, por tentativa e tij u ndal nga portieri.
Më pas, Kotobelli iu afrua shumë golit me një gjuajtje-kros të rrezikshme, por portieri kundërshtar bëri një ndërhyrje vendimtare, duke devijuar topin në goditje nga këndi.
Heroi i ndeshjes ishte pikërisht Daci, i cili realizoi golin e vetëm në minutën e 93-të, pas një goditjeje nga këndi.
Festa shpërtheu te ekipi i drejtuar nga Bledar Hodo, që ia doli të siguronte mbijetesën, ndërsa Pogradeci do të vazhdojë të jetë pjesë e Kategorisë së Parë. /kfteuta.al/



