Teuta, mbrojtje e hekurt dhe sulm vrastar!

Teuta e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer kampionatin, duke udhëhequr me meritë Superioren.

Në shtatë takimet e para, djemtë e detit, të drejtuar nga trajneri Edlir Tetova, kanë regjistruar 6 fitore dhe një barazim në premierë. 19 pikë të grumbulluara, 14 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.

Sekreti për të dalë kampion është një mbrojtje solide dhe Teuta është skuadra me repartin difensiv më të mirë të kampionatit.

Portieri Paul Bernardoni ka qenë i jashtëzakonshëm, duke e mbajtur portën të paprekur në 5 ndeshje, ndërsa ka pritur edhe disa penallti.

Gjithashtu, dyshja Jazxhi-Zogos në zemër të repartit difensiv jep siguri dhe qetësi, së bashku me Përgjonin dhe Fangajn, nga e majta në të djathtë.

Mesfusha është një tjetër repart që ka pasur performanca të nivelit të lartë. Toli dhe Maçolli, në qendër, shpesh bëjnë punën që nuk bie shumë në sy, por janë thelbësorë për skemat e trajnerit.

Klasi i Kallakut, shpejtësia e Boçit, efikasiteti i Arifit dhe eksperienca e Malës e bëjnë këtë ekip të luajë një futboll fluid dhe të jetë i paparashikueshëm për kundërshtarët.

Sulmi është një tjetër pikë e fortë e ekipit, me 14 gola të shënuar. Pedro dhe Umejiego janë gjuetarët e golit, me nga 4 rrjeta secili, ndërsa i kanë ndarë së bashku minutat.

Statistikat dhe forma që po kalon ekipi kanë rritur entuziazmin për të vijuar serinë e rezultateve pozitive. Ndeshja e radhës është të shtunën, kundër Elbasanit, në orën 18:30, në stadiumin “Niko Dovana”. Një përballje që vlerësohet maksimalisht nga Teuta, me objektivin për të marrë maksimumin. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *