Teuta barazon në premierë, Tetova: S’ka asgjë me buton, jemi në rrugë të mbarë

Teuta e ka nisur sezonin e ri futbollistik me një barazim 0-0 në transfertë ndaj Partizanit. Në takimin e zhvilluar në Vorë, skuadra durrsake pati disa raste për të shënuar dhe iu afrua disa herë golit, ndërsa në pjesën e parë humbi edhe një penallti me mesfushorin Kallaku.

Trajneri i Teutës, Edlir Tetova, pas ndeshjes deklaroi se ekipi mund të kishte bërë më mirë, por theksoi se i duhet kohë për të konsoliduar lojën dhe për të zbatuar në fushë idetë e tij.

Barazimi në premierë – “Fragmenti i parë i lojës, rreth 15 minutat e para, ishte më dominant për Partizanin. Nuk po na lejonte të kryenim manovrën. Nuk kryem sot disa detyra në dalje dhe kjo na vuri në vështirësi, derisa zbritëm Votlain si ‘6’, në mënyrë që të krijonim hapësira në linjat më lart dhe në mesin e fushës, duke mbajtur një lojtar të tyre në mbrojtje.

Më pas morëm kontrollin e lojës në pasim, por në manovër ishim të cunguar. Nuk është se kemi bërë gjithçka siç duhet. Mendoj se kam ende punë për të bërë dhe duhet t’i bind lojtarët se mund të shkojmë në këtë mënyrë drejt golit.”

Rastet e pashfrytëzuara “Ishte edhe çështje e fushës. Nuk kishte shpejtësi në veprim, ndërsa kushtet këtu janë të tilla. Duhet të marrim parasysh edhe vapën, që ishte njësoj për të dyja ekipet, pasi edhe ata po ankoheshin.

Në pjesën e dytë kërkova që të kalonim një stacion të lëvizjes së topit. Edhe rreshtimi i Partizanit me 5-3-1 na vuri në vështirësi, derisa futëm Tolin në qendër, për të mbajtur lojtarin e qendrës së majtë të tyre dhe për të mos e lejuar të ushtronte presion ndaj Fangajt.

Mendoj se momentet ishin. Na duhej edhe pak fat. Te krosimet, Umeijegon e nxorëm si pikë referimi në zonë, në mënyrë që të hynin Daci dhe Pedro. Kishte krosime, por vetëm nga e djathta dhe jo nga e majta. Kështu që, siç e thashë, kam ende shumë punë për të bërë.”

Strategjia e lojës “Normalisht që ka mërzitje, por duhet të jemi edhe optimistë, sepse penallti humbin edhe lojtarë të tjerë. Nuk është se ka ndonjë problem. Mërzitja do të na kalojë për dy-tre ditë, pasi duhet të bëhemi gati për ndeshjen tjetër.

Duhet të shohim edhe anën pozitive: në pjesën e dytë kemi qenë gjatë gjithë kohës në qarkullim, duke u bërë presion lojtarëve të Partizanit në zonën e tyre.

Patjetër që ka shumë punë. Lojtarët duhet të binden te ajo që bëjmë. Ka kurba në këtë pjesë, nuk e diskutoj. Nuk ka asgjë me buton, por mendoj se do të shkojmë në rrugë të mbarë”, tha Tetova. /kfteuta.al/