Sot luhet Teuta–Tirana, Dobi kërkon maksimumin

Teuta do të presë sonte në mbrëmje Tiranën në një ndeshje emocionuese, për llogari të javës së 16-të të Superiores.

Sfida do të nisë në orën 19:30 dhe atmosfera në stadium pritet të jetë e zjarrtë nga tifozëria.

Gjithmonë, përballjet mes dy ekipeve kanë qenë tepër të luftuara dhe as kjo sfidë nuk do të bëjë përjashtim; përkundrazi, pritet një ndeshje ku do të luftohet për maksimumin.

Teuta e gjen Tiranën në një moment kritik dhe, për më tepër, ekipi i drejtuar nga Dobi ka një dominim në përballjet direkte me bardheblutë, duke i mposhtur 3 herë dhe duke barazuar 2 herë në 5 takimet e fundit.

Tirana ka mbrojtjen më të dobët të kampionatit me 29 gola të pësuar, ndërsa Teuta një ndër më të fortat, me vetëm 9 gola të pësuar.

Pika e dobët e kundërshtarit është pikërisht mbrojtja dhe trajneri Dobi ka dhënë direktivat në stërvitjen e fundit për t’i bërë presion kundërshtarit në 30 metrat e fundit.

“Do të luajmë përballë një kundërshtari të fortë, pavarësisht pozicionit në klasifikim. Për të shkuar te fitorja duhet të japim maksimumin të gjithë”, mësohet se u ka thënë Dobi ekipit përpara stërvitjes gjenerale.

Performancat e ekipit në ndeshjet e fundit kanë qenë tepër pozitive, por fati i ka munguar Teutës për të shkuar te fitorja.

Teuta aspiron minimalisht Final Four në këtë edicion dhe, pas javës së 15-të, pozicionohet në vendin e pestë, me 6 pikë më pak se Elbasani kryesues. /kfteuta.al/