
Teuta barazoi 0-0 kundër Elbasanit dhe vazhdon të mbetet e pamposhtur në Superiore. “Djemtë e Detit” zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë në “Elbasan Arena”, por fati nuk ishte me ta, pasi një traversë u mohoi golin.
Ekipi i Dobit tregoi karakter, personalitet dhe një lojë cilësore në transfertë, duke e dominuar kundërshtarin.
45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura. Teuta ishte superiore, duke rrezikuar portën e Elbasanit, por i mungoi efikasiteti në sulm.
Rastin më të mirë e pati në minutën e 25-të, kur mesfushori Maçolli lëshoi një silur nga hyrja e zonës, por topi u përplas në traversë.
Në vijim, Beshiraj u përpoq të zhbllokonte rezultatin, por pa sukses. Me shifrat 0-0, skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes për të qetësuar organizmat dhe freskuar idetë.
Pjesa e dytë nisi me një shans të shkëlqyer për Boçin, pas një krosimi të Tolit, por ai gaboi nga shumë afër. Loja më pas u spostua kryesisht në mesfushë, ku munguan rastet e pastra për gol.
Teuta rrezikoi përsëri me Beshirajn në minutën e 70-të, pas një aksioni model, por tentativa e tij u ndal nga portieri. Në shtesë, Elbasani kërcënoi me mesfushorin Lajthia, por Selmani reagoi pa vështirësi.
Në fund, ndeshja u mbyll 0-0 dhe Teuta vazhdon serinë pozitive në Superiore. Me këtë barazim, durrsakët ngjiten përkohësisht në vendin e dytë me 7 pikë pas 5 ndeshjesh. /kfteuta.al/