Zogos dhe Boçi në formacionin më të mirë të javës së dytë

Teuta arriti një fitore impresionuese në javën e dytë të Superiores, duke mposhtur 3-1 Tiranën në stadiumin “Niko Dovana”.

Për paraqitjen e tyre ndaj bardhebluve, dy futbollistë të “Djemve të Detit” janë përfshirë në formacionin më të mirë të javës, të përzgjedhur nga trajnerët e ekipeve kombëtare: mbrojtësi Vasilios Zogos dhe sulmuesi Muço Boçi.

Zogos, autor i golit të barazimit të Teutës, është përzgjedhur në qendër të mbrojtjes së bashku me Arlind Kurtin e Laçit, përpara portierit Aldo Teqja. Në krahë janë Usni Ismaili i Dinamos dhe Yago i Egnatias.

Në mesfushë spikatën këtë javë Edon Murataj i Vllaznisë, Klevi Qefalaja i Dinamos dhe Stiven Bibo i Laçit.

Ndërkohë, lojtari i ndeshjes në Teuta-Tirana, Muço Boçi, është përzgjedhur në krahun e majtë të sulmit, në rreshtimin 4-3-3, së bashku me Alessandro Albanesen e Egnatias dhe Rubin Hebajn e Elbasanit.

Në krye të formacionit të javës është përzgjedhur trajneri i Egnatias, Nevil Dede, i vlerësuar si trajneri më i mirë i javës së dytë. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *