Teuta ngjitet në krye të Superiores, Tetova: Tri pikë të rëndësishme!

Teuta mori një fitore të rëndësishme në stadiumin “Niko Dovana”, duke mundur 2-0 Vorën.

Me këtë sukses, “Djemtë e Detit” u ngjitën përkohësisht në krye të klasifikimit.

Atmosfera ishte e shkëlqyer në stadium, teksa bregdetarët ishin superiorë gjatë gjithë ndeshjes.

Pas takimit, trajneri Edlir Tetova theksoi se ekipi i tij ka ende shumë punë për të bërë për t’u përshtatur me idetë që ai kërkon për lojën.

Fitorja me Vorën – “Mendoj se klasifikimi është momental, pasi ka ndeshje edhe nesër për t’u luajtur. Ajo që më gëzon janë pikët. Kemi pasur disa shqetësime, por kemi punuar shumë mirë në manovër, sidomos nga krahu i djathtë, ku donim të krijonim hapësirat tona. I krijuam rastet që dëshironim, sidomos në pjesën e parë.

Kishim 10 minuta panik në mesin e pjesës së dytë, kur skuadra krijoi tërheqje apo zgjatje të reparteve, gjë që nuk më pëlqeu. Më pas rifituam ekuilibrin dhe mendoj se menaxhuam mirë rezultatin”.

Teuta për titullin – “Mendoj që objektivi te Teuta është ndeshja e radhës. Sigurisht që kemi marrë pikët dhe ndihemi mirë. Unë e kam ndërtuar ekipin në bazë të karakteristikave të lojtarëve që kam, por deri tani nuk është një përqindje aq e madhe e zbatimit të ideve të mia.

Sot kishte përmirësim në krahasim me ndeshjet e kaluara. Ishim më të qartë, por po themi pjesërisht. Siç e thashë, në momentin kur toleruam në markim në mesfushë, Vora na vuri në vështirësi dhe mund të barazohej ndeshja. Por pas ndërrimeve morëm frenat e lojës dhe ishim pranë golit”.

Reparti i sulmit – “Nuk jemi maksimalisht agresivë dhe kjo vjen edhe nga forma e lojtarëve, siç kam thënë. Umejiego është një lojtar që mund të na shërbejë shumë mirë, por ka luajtur vetëm këto katër ndeshje në gjashtë-shtatë muaj.

Pastaj është Pedron, të cilin nuk duam ta rrezikojmë, pasi ka peshë dhe vjen nga një dëmtim. Po i japim minutat e duhura. Po ashtu është edhe Daci, i cili duhet të futet në elementët e asaj që kërkoj për lojën. Më pas do të jemi më të plotë”.

Gara në Superiore – “Teuta do t’i marrë pikët ndeshje pas ndeshjeje. S’duhet të nxitojmë të flasim për titullin kampion, pasi janë vetëm katër ndeshje.

Mendoj që, përderisa gjenden defektet dhe unë kam defekte në analizë, përqindja nuk është aty ku duhet. Për sa i përket lojtarëve, kam pasur në përbërje një përqindje të vogël të tyre. Sigurisht, ka prurje të reja, por janë lojtarë që kanë uri, duan të mësojnë dhe të fitojnë.

Mendoj që javë pas jave do të mundohemi të përmirësohemi, pasi ekipi ka edhe kurba. Kur ngarkohet shumë, do të jetë menaxhimi im në këtë pjesë, sidomos nga ana psikologjike, që të mos kemi cedime gjatë ndeshjes”, tha Tetova. /kfteuta.al/