Teuta mposht Laçin, trajneri Tetova: Jam i kënaqur, lojtarët kanë premio kur pasojnë topin

Teuta mori një fitore shumë të rëndësishme në Kurbin, duke mundur me rezultatin 3-1 Laçin, në një ndeshje emocionuese.

Teuta ishte superiore dhe menjëherë kaloi në avantazh me Kallakun, i cili shënoi nga pika e bardhë në minutën e 9’. Më pas ishte Votlai që dyfishoi shifrat në minutën e 12’.

Bernardoni bëri heroin në minutën e 39’, duke ndalur Bibon nga 11 metra. Në pjesën e dytë, Bibo ngushtoi diferencën në minutën e 64’. Gjithsesi, Teuta luajti më mirë dhe mbylli llogaritë në minutën e 89’ me Pedron, i cili shënoi një gol mjaft të bukur.

Trajneri i Teutës, Edlir Tetova, u shfaq i kënaqur me fitoren, ndërsa zbuloi edhe një detaj interesant brenda skuadrës për një premio personale.

Fitorja e dytë – “U kam kërkuar lojtarëve të jemi një kundër një, sidomos pas tërheqjes. Nuk më pëlqen të jemi shumë në mbrojtje, por janë gjëra që do të provohen ndeshje pas ndeshjeje. Edhe me Tiranën ishim ashtu, por më shumë ofensivë. Djemtë kërkonin ndihmë poshtë, cilësia ishte e dobët. Gabuan edhe lojtarët tanë, edhe ata të Laçit. Laçi luajti futboll dhe jam i kënaqur me çunat e mi. Prisja një ndeshje edhe më të mirë nga të dyja skuadrat.

Performanca – “Kur merr një ekip të ri, ka kurba, ka ndeshje të mira dhe të këqija. Ajo që më pëlqen është se çunat janë bashkuar me mua. Në një ditë të keqe, me një terren të vështirë, duhet të mbrosh portën. Patëm mundësi të shkonim 0-3, por nuk mundëm. Na ndihmoi edhe pritja e Bernardonit. Dua të fus idenë time te lojtarët. Janë jashtë tre lojtarë, ndërsa me pushimin e kombëtares do të kemi pak më shumë kohë që djemtë të futen në stërvitje. Fokusi brenda katër viteve është që lojtarët e akademisë të jenë kryesorë.

Premio – “Unë s’dua të zbuloj shumë për këtë pjesë. Ata kanë premio personale kur pasojnë topin. Ka kritika nga ana ime, por ka edhe një stimul ekstra”, deklaroi Tetova. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *