Teuta, fitore karakteri! Dobi: Do isha i lumtur nëse shkojmë në Champions

Teuta mori një fitore shumë të rëndësishme në kampionat, duke mundur me shifrat 1-0 Dinamo City në një ndeshje emocionuese, zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”.

Në ndeshjen e prapambetur të javës së parë të Superiores, Teuta tregoi karakter dhe shpirt luftarak, duke fituar me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Vidal në minutën e 16-të.

Enkeleid Dobi u shfaq i lumtur për këtë sukses, ndërsa deklaroi se ekipi çdo ditë është në rritje.

Triumfi – “Shpirtin e garës e kemi shkruar edhe te tabela, se luajmë çdo tre ditë. Jemi në proces, edhe me lojtarët kemi 3 javë që jemi bashkë të gjithë dhe punojmë çdo ditë. Por është shpirti i garës sot, mënyra, dëshira, angazhimi, ishin maksimale ndaj edhe rezultati është i tillë, sepse kështu është jeta, kështu është futbolli”.

Shpirti luftarak – “Ne me gjithë projektin që kemi do presim, është proces. Jam i gëzuar, i lumtur do jem nëse do të fitojmë kampionatin apo luajmë në Champions. I dimë vlerat, është e vështirë të luash me 10 kundër 11, kur je në proces e luan ndaj Dinamos që është kandidati numër 1 për titullin kampion. Ne jemi akoma në rritje, i dimë vlerat e mangësitë, e dimë ku jemi e ku duhet të jemi. Por nuk mund ta shohësh ende lojën e konceptin për 10-15 minuta, aq më tepër kur luajtëm të dielën e përsëri të mërkurën. Nuk jemi nga ekipet e mëdha që të luajmë çdo tre ditë që të kemi kontingjent lojtarësh e cilësie, duhet ta pranojmë këtë. Por atë që tregoi ekipi, ndoshta është karakteri dhe personaliteti që dua dhe kërkoj nga ekipi që të shprehë, që tifozët të shprehen e të jenë krenarë për çfarë transmeton ekipi në fushë”.

Objektivat – “Ne trajnerët duhet të përshtatemi me kundërshtarët që janë. Nuk mund të thuash unë shoh vetëm veten time, por edhe pikat e forta të kundërshtarit, t’i minimizosh dhe aty ta godasësh. Kishim mendim ndryshe nga Vora dhe Partizani, por po rritemi. Është proces, nuk ka modesti, është realiteti. Kemi tre javë bashkë, lojtarët nuk kanë ardhur që në fillim dhe 100%. Të gjithë jemi të rinj, nga presidenca, te trajneri e ekipi. Nëse do ta shohim ekipin, janë 8 lojtarë të rinj në formacion nga viti i kaluar, nuk është e thjeshtë. Por ashtu si e transmeton ekipi, si i ka thithur mendimet, unë jam shumë i kënaqur për kohën e shkurtër të punës. Shpresojmë që të kemi fatin me vete që çunat i mbajnë këto ide e koncepte, me kalimin e kohës do të shohim një ekip prestigjioz”.

Direktivat pas golit – “Udhëzimet ishin të mos lejonim topin vertikal, se e dinim që i kërkon Dinamo dhe është pikë e fortë, ndaj u lamë krahët. Por edhe automatizmi nuk është në nivelin që kërkojmë ende. E shohim kundërshtarin, i përshtatemi me pikat e forta, me vlerat që mund të godasë dhe mund t’ia minimizojmë. Nuk ia eliminojmë, se të gjithë e dinë si luan Barcelona po prapë Yamal bën gol. Ne mundohemi të minimizojmë që këto pika të forta të mos jenë aq të forta dhe të godasim te pikat e dobëta, se çdo ekip ka pikat e mira dhe të këqija”, tha Dobi për RTSH pas ndeshjes. /kfteuta/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *