
Mesfushori i Teutës, Xhoeli Maçolli, u shpall lojtari i ndeshjes në barazimin 0-0 kundër Tiranës, zhvilluar në “Air Albania”.
Maçolli nuk e fshehu kënaqësinë për trofeun, por theksoi se do të ishte më i lumtur nëse Teuta do të fitonte.
Çmimi “Lojtari i Ndeshjes” – “Jam falenderues që më kanë zgjedhur lojtari i ndeshjes, por ndjej keqardhje sepse nuk e kam shijuar 100% me fitore. Nëse fitojmë dhe dal lojtari i ndeshjes, akoma më mirë. Më e rëndësishmja është të marrim 3 pikë; ky është një trofe individual, por më shumë vlen fitorja e ekipit”.
7 javë pa humbje – “Mendoj që kjo është një gjë pozitive. Tani lëvizjet që trajneri kërkon janë pak më të automatizuara, por kemi për t’u rritur ende dhe kemi shumë punë përpara. Duhet të jemi pak më të qartë në fazën e fundit, për të shënuar golin”.

Roli në fushë – “Unë jam lojtar që përshtatem me të gjithë, jam punëtor dhe jap maksimumin për ekipin. Nuk ka rëndësi kush është partneri në mesfushë. Dhe nëse nuk do isha unë dhe do të luanin të tjerë, ata do të ishin në 100% të tyre”.
Përshtatja në skemat e Dobit – “Për shkak të sistemit që luajmë, 4-4-2, kur ne krijojmë, mund të zbres pak poshtë dhe mund t’i shfaq më mirë cilësitë e mia. Ndonjëherë unë, ndonjëherë Wotlai. Por trajneri më ka ndihmuar shumë dhe më ka mësuar se ku duhet të vendosemi në fushë, kur kemi dhe kur nuk kemi topin”.
‘Mos harro trajnerët e kaluar’ ngacmimi nga studio – “Po, patjetër. Jam shumë mirënjohës për të shkuarën dhe për të gjithë trajnerët që kam pasur,” tha Maçolli për “RTSH”. /kfteuta.al/