Dobi: Meritonim fitoren kundër Tiranës, duhet të punojmë për golin!

Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, u shfaq i kënaqur me paraqitjen e ekipit pas barazimit 0-0 kundër Tiranës, por theksoi se meritonin fitoren për atë që treguan në fushë.

Sa i përket sulmit, Dobi e pranoi se duhet të jenë më efikas, ndërsa theksoi se do të punojnë më shumë në këtë repart.

Barazimi – “Do punojmë, por kjo ndeshje na tregon, na dëshmon që jemi në rrugën e duhur. Por vuajmë finalizimin. Nuk po them se fati nuk është me ne, por në disa raste mungon maturia dhe qartësia për të finalizuar dhe për të bërë zgjedhjen e duhur në momentin e duhur. Na vjen keq se sot luajtëm një futboll të mirë, e meritonim fitoren. Tani që u futa në dhomat e zhveshjes, ka një energji sikur e kanë humbur, janë të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm që sot na mungoi vetëm fitorja”.

Teuta shënon pak – “Ishim të kujdesshëm se e dinim që Tabeku është një nga pikat më të forta të Tiranës. Duhet të përshtatemi, nuk mund t’ia lejonim vetes, duhej të kishim ekuilibër. Përgjoni ka bërë një ndeshje shumë të mirë nga performanca dhe detyrat, edhe në pjesën e dytë ishim aktiv nga krahët, finalizimi mungoi. Nuk mund të them që bëmë ndeshjen perfekte, por atë që punojmë çdo ditë sot e pamë: mënyrat si ndërtojmë sulm pozicional, faza tranzicioni, presing i lartë dhe i mesëm. E vetmja është finalizimi; nuk u vë faj çunave, e duan më shumë ata. Por duhet të jenë më të qartë apo të qetë për të finalizuar në metrat e fundit. Në pjesën e parë meritonim dy gola, edhe pjesën e dytë ishim superiorë dhe e kontrolluam të gjithë lojën”.

Mungesa e golit – “Koncepti ynë është që minimalisht të kemi 5 lojtarë në zonën e kundërshtarit. Ndonjëherë jo të gjitha shkojnë si duam dhe provojmë. Por ne i kemi njerëzit, ai topi nuk po vjen, nuk po gjejmë lojtarin që ta finalizojë. Goli të jep qetësi. Unë jam mëse i kënaqur nga loja e të gjithëve, por është vetëm finalizimi. Duhet të bëhemi të durueshëm, të punojmë për këtë. Djemtë janë të fokusuar, por jam mëse i sigurt që në rrugën që jemi, në drejtimin e linjave të duhura, po të shtojmë finalizimin, do të jemi akoma më solidë”.

Diferencat në kampionat – “Nuk janë ndeshje të lehta, kampionati shqiptar nuk ka ndryshime mes ekipeve. Janë detaje, episode dhe disa gjëra që bëjnë diferencën. Janë gjëra të vogla, por ato detajet e vogla duhet t’i bëjmë në favorin tonë. Po rritemi dhe duhet të jemi të durueshëm, nuk duhet të futemi në siklet me mendimin që nuk po shkon. Ajo do vijë, duhet të jemi konsistent në mënyrën e punës që bëjmë çdo ditë dhe jam i sigurt që do të vijë së shpejti”, tha Dobi. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *