Teuta barazon me Elbasanin, Tetova: Çaluam te shpejtësia e pasimit

Teuta u ndal në një barazim 0-0 në ndeshjen e javës së tetë kundër Elbasanit, të zhvilluar në “Niko Dovana”. Trajneri Edlir Tetova analizoi takimin, ndërsa tregoi se çfarë nuk funksionoi.

Barazimi në shtëpi – “Pa ia hequr meritat Elbasanit, ekipi im çaloi te shpejtësia e pasimit. Duhet të ndërronim krahët dhe të ishim më efektivë. Ngjeshja e madhe e Elbasanit në gjysmëfushën e vet nuk na lejoi të ishim të qartë për të filtruar topat dhe për të gjetur manovrën tonë”.

Çfarë nuk funksionoi? – “Pjesa e parë ishte për të marrë zonat e ndërmjetme, por me 4-2-4 nuk ishim të qartë. Në pjesën e dytë, si Mala, ashtu edhe Toli, ishin në zonat e ndërmjetme për të marrë topin dhe për të dalë me udhëheqje, si dhe për të luajtur vertikalisht drejt sulmuesve. Shpejtësia e veprimit nuk funksionoi. I dhamë kohë Elbasanit të rikthehej në ekuilibër. Ata ishin të ngjeshur në gjysmëfushën e vet dhe gjithçka na vështirësohej”.

Mbrojtja e hekurt – “Ndeshja merr karakter pozitiv për mënyrën se si u luajt. Elbasani është një ekip i mirëinvestuar, me lojtarë cilësorë. Kur humbnim topat në zonën e sulmit, na mungonte agresiviteti. Për sa i përket leximit të topave në mbrojtje, jam i kënaqur. Mbrojtja jonë ka qenë agresive për të rimarrë topin. Duhet të përmirësojmë agresivitetin në zonat e sulmit. Duhet të jemi më vigjilentë për të rikuperuar topin”, tha Tetova. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *