
Teuta ka mbërritur në Bansko të Bullgarisë, ku do të zhvillojë fazën përgatitore në kuadër të sezonit të ri nën drejtimin e trajnerit Edlir Tetova.
Gjatë qëndrimit, skuadra do të zhvillojë seanca intensive stërvitore dhe katër ndeshje miqësore, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të vlerësuar gjendjen e ekipit dhe për të ndërtuar formacionin para nisjes së kampionatit.

Blutë do të përballen fillimisht me Ludogorets më 10 korrik, ndërsa një ditë më vonë do të luajnë ndaj Lokomotiv Sofias. Më 15 korrik, Teuta do të sfidojë Hapoel Haifan, ndërsa fazën përgatitore do ta mbyllë më 16 korrik me ndeshjen ndaj CSM Slatina.
Stafi teknik synon të shfrytëzojë maksimalisht këtë periudhë për të rritur formën fizike të skuadrës dhe për të konsoliduar grupin përpara nisjes së sezonit të ri. /kfteuta.al/



