Teuta mbetet në Superiore, Hodo: U kërkojmë falje tifozëve

Trajneri i Teutës, Bledar Hodo, foli pas fitores 1-0 ndaj Pogradecit, sukses që u siguroi bregdetarëve qëndrimin në Superiore.

Fitorja – “Kaluam momente jo të mira, por ia dolëm me sukses. Mendoj se çdo njeri do të thotë që, si lojtar, e përjeton ndryshe. Të jem i sinqertë, kam pasur të njëjtin përjetim dhe ndjenjë për këtë fanellë. Duhet t’u kërkojmë falje tifozëve dhe gjithë ambientit sportiv në Durrës që e sollëm ekipin deri në këtë situatë. I tillë është futbolli. Personalisht e prisja një ndeshje të tillë dhe isha i përgatitur. Por emocionet janë shumë të forta. Kemi dalë kampionë, kemi fituar Superkupën dhe Kupën e Shqipërisë, por kjo është diçka krejt tjetër.”

Tetova – “Më mirë të mos e jap unë lajmin, por nga sa di unë, Tetova do të jetë trajneri i ardhshëm i ekipit tonë. Edhe unë do të jem pjesë e stafit të tij. I urojmë suksese dhe shpresoj që të mos përjetojmë më ditë të tilla”, u shpreh Hodo. /kfteuta.al/