Teuta kërkon të vulosë qëndrimin në elitë kundër Pogradecit

Teuta do të përballet me Pogradecin në një ndeshje tepër të rëndësishme për mbijetesën në Superiore.

Në “play-out”, “Djemtë e Detit” do të kenë përballë një kundërshtar që në letër konsiderohet më i lehtë, por diferencat skuadra e Hodos duhet t’i tregojë në fushën e lojës.

Teuta e mbylli sezonin e rregullt të Superiores në vendin e 8-të dhe tashmë është e detyruar të mbrojë vendin e saj në elitën e futbollit shqiptar.

Nga ana tjetër, Pogradeci siguroi kualifikimin përmes “play-off”-it të Kategorisë së Parë, pasi mposhti fillimisht Kastriotin dhe më pas Besën.

FSHF ka bërë të ditur se sfida do të zhvillohet të shtunën, më 16 maj, në orën 16:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Fitorja është një obligim për “Djemtë e Detit”, të cilët synojnë ta mbyllin me sukses një sezon me shumë ulje-ngritje.

Pa diskutim, zhgënjimi mbetet i pranishëm për atë që është investuar nga drejtuesit e klubit, ndërsa qëndrimi në Superiore mbetet objektivi minimal. /kfteuta.al/