Teuta mposht Dinamon, Dobi: Treguam karakter, finalja jonë me Partizanin

Teuta mori një fitore shumë të rëndësishme në “Air Albania”, duke mundur 1-0 Dinamon dhe u fut sërish në garë për Final Four, pasi diferenca me Partizanin e vendit të katërt është 6 pikë.

Trajneri Enkeleid Dobi deklaroi se ekipi tregoi karakter dhe personalitet në fushë, duke e merituar fitoren.

Triumfi – “Vazhdimësia ka rëndësi, stabiliteti në jetë. Ndoshta nuk ishte interpretimi ynë më i mirë në fushë, por treguam shpirt luftarak dhe sakrificë. Kemi bërë ndeshje edhe më të mira, por ndonjëherë kemi humbur ose barazuar. Vinte edhe pas ndeshjes me Egnatian, ku mendoj se nuk e meritonim atë rezultat. Puna shpërblehet, në kuptimin e mirë të fjalës”.

Stili i lojës – “Rezultati është shumë i rëndësishëm, por unë nuk jam i mendimit të luajmë keq vetëm për të fituar. Sot kishim shumë nevojë për tre pikët. Djemtë punojnë çdo ditë dhe japin maksimumin në çdo ndeshje. Ndonjëherë nuk kemi qenë konsistentë dhe kemi bërë gabime individuale. Futbolli është sporti më i bukur dhe unë dua që ekipi të luajë mirë dhe të kënaqet në fushë. Punojmë për të fituar dhe për t’u zhvilluar si ekip”.

Skema dhe strategjia – “Ne kemi tre lloje presingu: të lartë, të mesëm dhe të ulët. Duhet t’i japim merita edhe Dinamos, sepse na detyroi të mbroheshim më poshtë. Është një ekip që na vë shpesh në vështirësi. Sot vendosëm të ishim në presing të mesëm, sepse e dinim që Dinamo tenton me topa vertikalë dhe ka lojtarë driblues. Djemtë u përshtatën shumë mirë. Zgjodhëm të ishim më të fortë në qendër me Arifin dhe Oliverin. Në disa raste funksionoi, në disa jo, por kishim mundësi të dilnim edhe më mirë përpara. Këto janë ndeshje që të formojnë karakterin, janë si finale. Edhe ndeshja me Partizanin do të jetë e tillë. Do të futemi në fushë për ta fituar dhe pastaj le të flasë fusha”, tha Dobi për RTSH pas ndeshjes. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *