Teuta rigjen fitoren! Dobi: Tri pikë jetike! Kotobelli tregoi karakter

Teuta u rikthye te fitorja në kampionat duke mundur 2-1 Bylisin me përmbysje.

Trajneri Enkeleid Dobi deklaroi se kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për situatën në të cilën ndodhet ekipi, ndërsa vlerësoi Kotobellin për shpirtin luftarak.

Rikthimi te fitorja – “Frika është pjesë e jetës. Guximi nuk do të thotë të mos kesh frikë, por të kontrollosh frikën. Frika është çdo ditë, por nuk mund ta quajmë frikë, por menaxhim emocionesh e energjish. Por si fillim duhet të falënderoj drejtuesit e klubit, presidencën e të gjithë për mbështetjen, se rezultatet nuk kanë qenë, edhe pse loja po. Mbi të gjitha dua të falënderoj ekipin se si nisi ndeshja për ne.

Nuk mund të them se ishte ndeshja më e mirë për ne, mund të them që Bylisi me dy goditje standarde na rrezikoi. Ne kishim disa situata që duhej të ishin zgjidhur më mirë, edhe një gol të anuluar për pozicion jashtë loje, por në përgjithësi jemi të kënaqur”.

Goli i shpejtë i Bylisit – “Personaliteti që treguan lojtarët si e nisën ndeshjen, mënyra si reaguan, pastaj edhe fakti si shënuam golin, ishte interpretimi më i mirë. Kotobelli mori një shpërblim për golin që bëri dhe e tregoi sot në fushë që është kapiteni. Ne kemi mbajtur të njëjtën lojë e sistem, por në situata të ndryshme. Mund të luajmë mirë, por kemi 10 ndeshje pa fituar. Në fund do marrësh gjithmonë atë që punon”.

Aksioni i golit të anuluar – “Goli i anuluar është aksioni që kemi punuar, sot u përfundua. Këto kemi qejf t’i tregojmë, i kemi treguar e kur nuk finalizohen, nuk i mbajnë mend. Nuk është e thjeshtë nga lojtarët të menaxhojnë ndeshjen, por nga dëshira edhe bëjnë gabime. Në disa raste nuk bëmë zgjedhjen e duhur me një apo dy takime siç e kërkonte situata. Në pushim u thashë djemve që duhet ta rregullojmë, nuk kishte sinkronizimin e duhur”.

Aktivizimi i Kotobellit – “Nuk ishte e lehtë, por e biseduam dhe e vendosëm të dy bashkë dhe është mënyra më e mirë, se fatkeqësitë ndodhin, janë gjëra të pashmangshme. Të dhemb, edhe unë para një viti humba nënën. Babai i tij dhe nëna ime janë engjëj që na shohin nga lart e na shtyjnë për të bërë më mirë”, tha Dobi. /kfteuta.al/