‘Gabimet në fund na kushtuan rëndë’! Dobi i zhgënjyer pas humbjes me Partizanin

Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, nuk e fshehu trishtimin për humbjen në frymëmarrjet e fundit të ndeshjes përballë Partizanit, që fitoi 2-1 në “Arena e Demave”.

Disfata e dytë me Partizanin – “Nuk mund t’i vëmë fajin finalizimit, nuk ishte dita jonë më e mirë, sidomos pjesa e parë. Nuk e interpretuam siç donim dhe si e kishim përgatitur këtë ndeshje. Na vret më shumë fakti që me dy episode ndëshkohemi. Me ndjesinë time, them se ishte ndeshje për barazim 1-1, por ja që humbëm dhe kjo na dhemb. Ky është pishmani më i madh. Nuk krijuam shumë situata, në 20 metrat e fundit duhet të ishim më cinikë, më të vendosur e më këmbëngulës për të realizuar”.

Gabimet në mbrojtje – “Atë ia thashë edhe Jazxhiut e Zogos, që tani shënuam, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të fokusuar. Në mbrojtje duhet të mbajmë ekuilibrin. Kjo më vjen keq. Madje, duhej shfrytëzuar më shumë Fofana, duhet të kënaqemi me angazhimin e tij dhe i hapi shumë punë Partizanit. Ky është futbolli, dikush është i zemëruar e dikush i kënaqur. Më vjen keq për mënyrën si i pësojmë golat, jemi gjithmonë 2 kundër 1 në favorin tonë dhe pësojmë. Diçka nuk funksionoi, bëmë gabime dhe duhet të marrim përgjegjësitë. Marrim një top pas shpine, 2 kundër 1, dhe pësojmë gol. E njëjta gjë edhe në minutat e fundit, kur pësojmë të dytin. Duhet të jemi akoma më me eksperiencë, të interpretojmë më mirë dhe të jemi të fokusuar deri në fund. Nëse nuk je në ditën më të mirë, edhe 1-1 duhet respektuar. Është një mësim jashtëzakonisht për ne, na dhemb dhe duhet, nga unë i pari, të marrim përgjegjësinë pse ndodhi, ku ishte gabimi dhe çfarë duhet të bëjmë”.

Fofana ndryshoi ritmin – “Ta dija, do ta aktivizoja më parë, por para tri ditësh ka ardhur me ne, duhet t’i jepet koha e duhur. Janë gjëra që nuk i shohim dhe nuk i parashikojmë, por e thashë, nuk ishte dita jonë më e mirë në mënyrën si e interpretuam dhe e zhvilluam ndeshjen. Bëmë dy gabime dhe u goditëm, e pësuam dhe më vjen keq. Nuk i shfrytëzojmë rastet kur i bëjnë kundërshtarët gabimet, ndërsa situatat janë të njëjta dhe nuk e di se si shkon kjo punë”.

Mungesa e efikasiteti – “I thashë Tolit tri herë që duhet të punonte më mirë me Fofanën, ta kërkonte atë, por është zgjedhja e tij. Janë gabime, futbolli është lojë gabimesh. Sot bëmë dy dhe u ndëshkuam. Kjo të vret më shumë sesa kur një ekip dominon, luan më mirë dhe i japim dorën, bravo i qoftë. Por kur ti ndëshkohesh 2 kundër 1, ishim mirë të vendosur dhe lojtari i Partizanit shënon, kjo të dhemb më shumë”, tha Dobi. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *