Teuta kërkon kthesën në Vlorë, statistikat flasin për ekipin e Dobit

Teuta ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e rëndësishme në Vlorë kundër Flamurtarit. Pas tri barazimesh radhazi, ku edhe fati nuk ka qenë në anën e Teutës, fitorja mbetet obligim për objektivat sezonalë.

Sigurisht, përballë është një kundërshtar i fortë, pavarësisht pozicionit në klasifikim, megjithatë trajneri Enkeleid Dobi i ka idetë e qarta.

Në analizën e bërë për ndeshjen me Tiranën, stafi teknik nxori në pah gabime, kryesisht mungesën e përqendrimit në pjesën e parë, ndërsa u kërkua disiplinë taktike, qarkullim i shpejtë i topit dhe efikasitet në sulm në rastet që paraqiten.

Lajmi i mirë për Dobin është rikthimi në stërvitje i Boçit dhe Wotlait, që ofrojnë më tepër shpejtësi dhe forcë në mesfushë. Megjithatë, vazhdojnë të qëndrojnë jashtë fushave Qaqi, Gomes, por edhe Albi Doka.

Në derbin bregdetar, statistikat flasin për Teutën, që ka arritur ta mposhtë 4 herë Flamurtarin, ndërsa një sfidë ka përfunduar në barazim në 5 ndeshjet e fundit. Interesante është se në të gjitha ndeshjet janë shënuar gola dhe kështu pritet të ndodhë edhe këtë të premte, pasi do të luftohet për të marrë maksimumin.

Flamurtari–Teuta zhvillohet të premten, duke nisur nga ora 19:30, në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *