Beshiraj hero! Teuta thyen Vllazninë në Shkodër dhe afron diferencën me kreun në 4 pikë

Teuta shkëlqen në stadiumin “Loro Boriçi”, duke mundur 1-0 Vllazninë në një ndeshje emocionuese.

Heroi i takimit ishte sulmuesi Mario Beshiraj, i cili erdhi nga stoli për t’i dhënë tri pikë të arta Teutës.

Vllaznia ishte kthyer në një “mace të zezë” për Teutën, e cila nuk kishte fituar kundër tyre që nga finalja e Superkupës në vitin 2021.

45 minutat e para u mbyllën pa gola, megjithëse Teuta ishte më kërkuese. Bregdetarët iu afruan golit me Muçollin në sekondat e fundit të pjesës së parë, por portieri gjerman i Vllaznisë i mohoi goli.

Edhe në pjesën e dytë loja ishte interesante, me trajnerët që bënë ndryshimet e tyre për t’i dhënë impuls tjetër ndeshjes.

Trajneri Dobi aktivizoi Jazxhi dhe Beshiraj në minutën e 76’, dhe nga këmbët e sulmuesit erdhi goli i fitores pas një zbritjeje të shpejtë në sulm.

Në minutën e 84’, Beshiraj shfrytëzoi rastin në zonë duke tundur rrjetën dhe duke i dhënë Teutës tri pikët tepër të rëndësishme.

Pas 13 ndeshjesh, Teuta ngjitet në vendin e katërt në klasifikim me 21 pikë, katër më pak se Elbasani, i cili mban kreun e klasifikimit. /kfteuta.al/