
Teuta ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen kundër Vllaznisë, të vlefshme për javën e 13-të të Superiores.
Një lajm i mirë për stafin teknik është rikthimi i polivalentit Ardit Toli, i cili shleu pezullimin e kartonëve në sfidën kundër Vorës.

Megjithatë, Teuta do të jetë e penalizuar në repartin defensiv, pasi trajneri nuk do të ketë në dispozicion Harallamb Qaqin, Gomes dhe Albi Dokën, të gjithë të dëmtuar.
Trajneri Enkeleid Dobi ka marrë sinjale pozitive nga grupi në seancën e fundit stërvitore, por ende nuk ka vendosur formacionin titullar që do të zbresë në fushë ndaj Vllaznisë.
Përballë janë kryesuesit e kampionatit, ndaj sfida merr rëndësi të veçantë, por objektivi i Teutës mbetet i pandryshueshëm: tri pikët.

Slogani i Dobit, “Për t’u bërë më i mirë, duhet të mundësh më të mirët”, merr në Shkodër një kuptim akoma më të fortë, pasi Teuta do të kërkojë të shfaqë versionin e saj më të mirë pikërisht kundër një rivali të tillë.
Vllaznia – Teuta do të zhvillohet të premten, në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 18:00.



