Teuta sfidon Vllazninë në Shkodër, Dobi kërkon të thyejë tabunë 

Pas fitores së rëndësishme ndaj 1-0 Vorës, Teuta vazhdon me intensitet përgatitjet për sfidën e radhës në kampionat, ku do të përballet me Vllazninë.

Takimi do të zhvillohet të premten, duke nisur nga ora 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Atmosfera në kampin durrsak është e shkëlqyer dhe objektivi mbetet vazhdimi i serisë pozitive të rezultateve.

Përballë janë kryesuesit e kampionatit, por Teuta po kalon një formë shumë të mirë dhe do të hyjë në fushë me synimin për të marrë maksimumin.

Trajneri Enkeleid Dobi, e ka të gjithë grupin në dispozicion, me përjashtim të dy mbrojtësve Albi Doka dhe Gomes.

Ndeshja me Vorën tregoi shumë aspekte pozitive, por gjatë stërvitjes Dobi i ka kërkuar ekipit të përmirësojë edhe momentet ku u shfaqën vështirësi, duke theksuar se sulmuesit duhet të sakrifikojnë më shumë në fazën mbrojtëse kur topin e ka kundërshtari.

Filozofia e tij mbetet e qartë: ekipi duhet të funksionojë si një fizarmonikë, të mbrojë dhe të sulmojë në unison.

Teuta ka mbrojtjen e tretë më të fortë të kampionatit, me vetëm 8 gola të pësuar në 12 ndeshje, ndërkohë që Vllaznia ka sulmin më të mirë, me 19 gola të shënuar.

Stafi teknik ka kërkuar nga ekipi të jetë i pathyeshëm në repartin difensiv dhe efikas në fazën sulmuese.

Dobi, si një gjuetar goli në të kaluarën, ka punuar në mënyrë të veçantë me repartin e sulmit, duke u demonstruar gjatë stërvitjes mënyrat se si duhet të ndërtohen dhe finalizohen aksionet.

Vllaznia është kthyer në një “mace të zezë” për Teutën në sezonet e fundit. Për herë të fundit bregdetarët e kanë mposhtur skuadrën shkodrane 3-0 në finalen e Superkupës së Shqipërisë, më 28 gusht të vitit 2021. /kfteuta.al/