
Kapiteni Blerim Kotobelli ishte heroi i Teutës në fitoren me shifrat 1-0 kundër Vorës, duke realizuar golin që kishte vlerë 3 pikë në stadiumin “Niko Dovana”.
Mbrojtësi nuk e fshehu kënaqësinë për golin, por theksoi se më e rëndësishme se gjithçka ishte fitorja.
Fitorja me Vorën – “Jam shumë i lumtur për fitoren, për 3 pikët. Ishte e rëndësishme që të reagonim, pasi vinim nga një humbje. Mendoj se ndeshja ishte shumë e luftuar, por e rëndësishme janë pikët dhe të kemi vazhdimësi për ndeshjen tjetër”.

Vendi i katërt në klasifikim – “Ne kemi bërë lojëra të mira, disa ndeshje kemi merituar më shumë, por ka qenë pjesa e golit. Nuk kemi qenë aty ku duhet, por mendoj se do na ndihmojë shumë në vazhdimësi sepse 3 pikëshi të jep qetësi që të punosh gjithë javën. E rëndësishme është sot fitorja dhe vazhdimësia”.
Skema e re me Dobin – “Vjet kemi luajtur 3-5-2. Sivjet gjatë gjithë fazës nuk e kemi përdorur asnjëherë. Mendoj se lojtarët e krahëve, si Përgjoni dhe Vila, bënë punë të mirë. Nuk mendoj se kemi probleme me skemën me 4. Nga ana ime personale, po përshtatem shumë mirë. Nuk kam vështirësi dhe unë e shoh shumë mirë me katër”, u shpreh Kotobelli për “RTSH”.



