Teuta mposht Flamurtarin! Dobi: E donim me gjithë shpirt këtë fitore!

Teuta mori një fitore shumë të rëndësishme duke mundur 3-2 Flamurtarin në derbin bregdetar në stadiumin “Niko Dovana”.

Golat u shënuan nga Gomes, Arifi dhe Boçi, të tre në pjesën e parë, ndërsa Zogos e la ekipin me një lojtar më pak në minutën e 51-të pas kartonit të dytë të verdhë.

Trajneri Enkeleid Dobi u shfaq i lumtur për suksesin, ndërsa kërkoi nga ekipi të jenë më të kujdesshëm.

Fitore me vuajtje – “Më shqetësoi kartoni i kuq dhe marrja e golit të dytë shumë shpejt. Jemi të vetëdijshëm që na mungonte kjo fitore, besoj se e dominuam pjesën e parë dhe goli që pësuam ishte një episod. Por mënyra se si reaguam direkt ishte kapitale, thjesht t’u heq kapelen çunave. Ky është futbolli, kartoni i kuq na futi në trysni. Duhet t’i japim edhe merita kundërshtarëve, nuk është modesti apo diplomaci, sinqerisht nuk e shoh Flamurtarin në vendin ku është, nuk e meriton me lojën që bëri sot. Është edhe kundërshtari që luan, por kur je me një lojtar më pak, ke edhe rezultatin, bën që vetvetiu ta menaxhosh. Sepse e duam me gjithë shpirt fitoren, por duhet ta menaxhojmë më ndryshe, të jemi më të matur, më të përqendruar dhe vendosjet duhet të jenë më automatike në disa momente.”

Zhbllokohet sulmi – “Nuk mund të themi se ishin vetëm gabimet e Flamurtarit, sa vlerat e lojtarëve tanë janë. Goli i dytë është i punuar, kërkojmë presingun, nuk mund të themi gabime, sepse imponojmë presingun lart. Se herët a vonë të jep frytin. Unë përqendrohem te ekipi im, për mënyrën se si e thatë që sot në pjesën e parë luajtëm me një ‘9 fals’, pa sulmues tipik. E kemi ndërtuar gjatë gjithë javës, jemi munduar ta befasonim dhe i dha frytet në pjesën e parë. Në pjesën e dytë jam pak skeptik, sepse duhet ta menaxhonim. E dinim që Flamurtari do na e bënte të vështirë dhe kartoni i kuq na vuri në siklet, duke e ditur që kemi nevojë për fitoren. Mendoj që duhej ta kishim menaxhuar më mirë, të silleshim ndryshe dhe me zhvendosjet.”

Këshillë për ekipin në pushimin mes pjesëve – “Të gjitha udhëzimet ishin të ishim më të qetë me veprimet me topin në këmbë, por duhet të pranojmë edhe lojën psikologjike, është ngërç e përgjegjësi, jemi duke u rritur. E rëndësishme është rezultati, sepse kemi bërë ndeshje të mira, por nuk ka ardhur fitorja. Fokusohemi më shumë, jam kërkues dhe djemve u thamë që duhej ta menaxhonim më mirë. Edhe në pjesën e dytë duhet të ishim të qetë, të gjenim edhe golin e katërt me daljet. Në dy raste mund të bënim zgjedhje më të zgjuara.”

Zëvendësimet në sulm – “Ne mundohemi gjithë kohës, por u duhet dhënë meritë çunave, sepse edhe ndërrimet që bëmë ishin të detyruara, dy dëmtime, dy probleme që nuk i parashikon dot. Joel ka një javë që stërvitet me ne, janë gjëra që me kohën do vijnë akoma. Do kemi edhe stabilitet te loja jonë, siç punojmë në stërvitje. Na mungoi goli me Tiranën, sot shënuam 3 dhe mund të shënonim 4 ose 5. Por kërkojmë stabilitet në lojë, sepse duam të luajmë futboll.”

Arifi lojtari i ndeshjes – “Arifi ka punë përpara, nuk duhet t’i rriten veshët, sepse ka potencial. Duhet stabilitet, sepse e dimë si është futbolli. Shkojmë shumë shpejt te maja dhe shumë shpejt bie. Të mbash atë ritëm e nivel është edhe më e vështirë. Por u duhet dhënë komplimente djemve, sepse përveç të kuqit kishim edhe dëmtime dhe kjo na bën skeptikë për ndërrimet. Ishim të detyruar të bënim të paplanifikuara, këto ndryshojnë pak organizimin e lojës, nuk është e lehtë ndonjëherë. E menaxhuam si duhet, e rëndësishme është fitorja dhe çunat e menaxhuan siç duhet,” tha Dobi për RTSH pas ndeshjes. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *