Teuta, surpriza e këndshme e Superiores!

Teuta ishte një ndër ekipet që surprizoi në fazën e parë të Superiores, si me lojën ashtu edhe me rezultatet.

Ndonëse është një ekip i rinovuar, me ndryshime të mëdha si në drejtim ashtu edhe në pankinë, rezultatet kanë qenë tepër pozitive.

Në 9 ndeshje, Teuta e drejtuar nga Enkeleid Dobi grumbulloi 14 pikë, duke mbajtur vendin e pestë në Superiore, vetëm 5 pikë larg Vllaznisë kryesuese.

Teuta është një ndër mbrojtjet më të forta të kampionatit, me vetëm 5 gola të pësuar, ndërsa ka shënuar 7.

Nga lojtarët me eksperiencë si Selmani, Jazxhi, Doka, Përgjoni, Zogos, Kotobelli, Toli, Beshiraj, Boci, Vila dhe Cyrbja, pritej të ishin shtyllat e ekipit – dhe ashtu ka ndodhur.

Por ka edhe disa emra të rinj për kampionatin që kanë impresionuar. Mbrojtësi Gabriel Gomes, i cili iu bashkua ekipit këtë merkato, është ndër emrat që ka shkëlqyer me paraqitjet e tij.

Megjithatë, fati i keq e ndoqi në ndeshjen me Egnatian, ku pësoi një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushave deri në fund të dhjetorit. E njëjta situatë është edhe për Albi Dokën, që duket se e ka mbyllur sezonin.

Gjithashtu, mesfushori Vidal ka pasur paraqitje mjaft të mira në repartin e mesfushës, përkrah Maçollit dhe Woltait.

Në përfundim të fazës së parë, ekipi është më solid; lojtarët e njohin më mirë njëri-tjetrin dhe janë integruar plotësisht në skemat e Dobit.

Faza e dytë, duke nisur nga ndeshja me Dinamon, pritet të jetë më e vështirë, por edhe më interesante për të parë në fushë një ekip që ka pasur rritje progresive.

Oreksi është shtuar për bregdetarët dhe në këtë fazë Teuta do të tregojë qartë se çfarë do të synojë këtë sezon. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *