
Teuta mori një fitore shumë të rëndësishme në stadiumin “Niko Dovana”, duke mundur me shifrat 1-0 Bylisin në një ndeshje shumë të luftuar. Protagonist i sfidës ishte mesfushori Daniel Voltai, i cili realizoi golin e vetëm që pati vlerën e tri pikëve. Trajneri Enkeleid Dobi nuk e fshehu kënaqësinë pas këtij triumfi, ndërsa përgëzoi ekipin.
FITORJA – “Nuk mund të themi që ishte ndeshje e keqe, duhet t’i japim vlerat kundërshtarëve. Ky është futbolli, po ta themi që sulmuesit fitojnë ndeshjet, mbrojtja kampionatin. Duhet ta shohim me pragmatizëm tjetër. Ndoshta sot nuk ishte ndeshja më e mirë. Nuk është vetëm kjo ndeshje, është proces. Nuk është e lehtë. Dhe ne nuk jemi të kënaqur, por rezultati është më i rëndësishmi. Jemi të kënaqur për 3 pikët. Bylisi shumë i organizuar mirë, na kishin analizuar, nuk na lejonin te loja që kemi dëshirë të futemi. Në përgjithësi jemi në rrugën e duhur. Ndeshja e 6 që nuk humbim. Mendoj me kalimin e kohës edhe gjërat ofensive, finalizimi, do të rregullohet. Jemi 3-4 javë të gjithë së bashku. Voltai që ka ardhur para 2 javësh, shënon gol. Duhet të pranojmë realitetin ku jemi.”
STRATEGJIA – “E dinim si Bylisi mund të ndëshkojë, prandaj morëm masat. Bylisi kishte daljet me pikatore. Prisnim një Bylis tjetër ndoshta, edhe e dinim që faza e tranzicionit dhe me topin e gjatë, e dinim dhe prandaj ishim të kujdesshëm. Duhet të pranojmë që edhe dispozitat tona nuk janë me të njëjtat ndeshje. Siç ishin me Elbasanin, lojtarët vetvetiu mbajnë ekuilibër dhe shikojnë me këndvështrim tjetër. Përveçse goditjes së traversës, Bylisi nuk na vendosi në vështirësi. Ne mund të kishim 2-3 zgjidhje më të mira.”
RASTET PËR GOL ME PIKATORE – “Mungonte finalizimi, gjërat konkretizuese. Duhet të jemi më të qartë, kur marrim vendimet. Të godasim, të pasojmë, të krosojmë, këtu kemi problemet. Ekipi akoma nuk ka fituar automatizëm si duam edhe ne. Ishte ndeshje e vështirë, por ia dolëm me sukses. Rezultati më i rëndësishmi. Ndonjëherë luan shumë mirë dhe nuk vjen rezultati. Kemi qenë konsistent te puna, duhet t’i japim meritat ekipit dhe lojtarëve.”
SULMI IDEAL – “Mundohemi të gjejmë zgjidhjet e duhura, nuk është aq e thjeshtë. Nëse keni recetë, jam i hapur. Duhet të pranojmë realitetin. Nuk mund të presim për 3 muaj që Teuta të funksionojë nga të gjitha anët. Po të funksiononte aq shpejt dhe mirë, nuk do të ishim këtu ku jemi. Ndonjëherë në futboll nuk i jep dot përgjigje të gjitha pyetjeve, koha dhe vendi do të tregojnë nëse kemi bërë zgjedhjet e duhura, apo kemi vepruar si duhet”, tha Dobi. /kfteuta.al/