Teuta e pëson në Kupë! Dobi: Duhet durim! Dua përqendrim dhe grinte…

Teuta u mposht 1-2 nga Egnatia në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, në stadiumin “Niko Dovana”. Trajneri Enkeleid Dobi nuk e fshehu zhgëimin për këtë dështim.

Humbja në Kupë – “Bëmë një gabim fatal në momentin e fundit. Nuk pësohet gol kur kanë mbetur disa sekonda, duhet përqendrim, që nuk e patëm në atë moment. Tre gjëra i kërkova ekipit sot: dëshirë, qetësi dhe përqendrim. E filluam mirë, e futëm në presion Egnatian, shënuam gol dhe mund të realizonim edhe të dytin. Pësuam gol me të vetmen goditje të Egnatias. Bravo u qoftë atyre. Teuta ishte ekipi që pësonte më pak gola, tani çdo goditje në portë na ndëshkon. Nuk ka ndonjë shpjegim të zgjuar, vetëm keqardhje për djemtë, klubin dhe tifozët që meritojnë një Teutë më të fortë”.

Lojtarët e afruar në merkato – “Është e qartë që disa nuk e kanë ritmin. Të rinjtë që kanë ardhur duhet të ishin në fazë përgatitore. Gabime do të ketë, por nuk jam dakord, sepse ishte goditje standarde, jo problem i linjës së parë. Janë disa gjëra që i kërkojmë, prandaj dy lojtarë ishin te blloku. Nuk është çështje disipline, por ekzekutimi. Mos harroni që kishim rastin më të pastër, vetëm me portierin. Edhe Ronaldo mund ta bënte ose jo golin. Runi do ta bënte 100%, por ka një vit pa luajtur. Çfarë të bëjmë? Nuk kemi kohë, ky është realiteti. Më vjen keq për çunat, nuk them që luajtëm keq. Luajtëm ndaj kampionëve”.

Mungesa e përqendrimit – “Stërvitemi në fushë artificiale dhe luajmë në natyrale. Nëse Runi do të shënonte, do flisnim ndryshe. Tani jemi të zemëruar, dhe tifozët kanë të drejtë. Besoj se prodhuam lojë dhe ishim më kërkues. Me futjen e të rinjve bien automatizmat. Janë lojtarë që kanë kohë pa luajtur. I kemi marrë sepse aq mundësi kemi. Duhet durim. Më shumë përqendrim dhe grintë, këtë kërkoj. Goli i parë erdhi nga goditje standarde. Te ai moment kishim katër lojtarë, por mungoi komunikimi dhe përqendrimi mes Tolit dhe Jazxhi. Janë gabime që nuk duhet të na ndodhin në një ndeshje Kupe”.

Momenti negativ – “Në pjesën e parë kishim kontrollin e lojës, por me një goditje të vetme pësuam gol. Ne krijuam 5-6-7 raste. Ky është futbolli. Si futbollist dhe tani si trajner, për herë të parë më ndodh një situatë e tillë. Nuk e kisha parashikuar. Mundohemi çdo ditë të japim maksimumin. Ndonjëherë ndodh. Këto gjëra të forcojnë”. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *