Kapiteni Kotobelli i jep fitoren Teutës, gol për “kopertinë”!

Teuta thyen mallkimin duke marrë tri pikët në Superiore pas suksesit me përmbysje 2-1 kundër Bylisit.

Protagonist ishte kapiteni Kotobelli, që shënoi një gol mjaft të bukur nga goditja e dënimit për ta rikthyer Teutën te fitorja pas një momenti të vështirë në kampionat.

Ishte Bylisi që kaloi në epërsi me Markun në minutën e 3-të, por Teuta vendosi menjëherë ekuilibrin me golin e realizuar me kokë nga Wotlai pas një goditjeje këndi.

Më pas Teuta shënoi me Arifin, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje dhe pjesa e parë u mbyll 1-1.

Edhe në fraksionin e dytë Teuta luajti më mirë dhe pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi gjeti avantazhin.

Kotobelli, me një goditje mjeshtërore, realizoi për 2-1 dhe festa ishte e gjitha për durrsakët.

Kapiteni ia dedikoi golin të atit që ndërroi jetë pak ditë më parë, ndërsa i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë duke e duartrokitur.

Në minutat në vazhdim munguan rastet e rrezikshme dhe gjithçka u mbyll 2-1 për Teutën, që merr një fitore shumë të rëndësishme në kampionat, që e ngjit në kuotën e 30 pikëve pas 24 ndeshjesh. /kfteuta.al/