“Trofeu për mamin”! Kotobelli: Ishte “ferr”, Teuta do të luftojë për objektiva të mëdha

Teuta siguroi mbijetesën në Abissnet Superiore, pasi mposhti Pogradecin me rezultatin 1-0. Kapiteni i skuadrës, Blerim Kotobelli, u zgjodh lojtari i ndeshjes për paraqitjen e tij në sfidën vendimtare ndaj Pogradecit.

Fitorja – “Është një nga ndeshjet që e luaj për herë të parë në karrierë. Është shumë e vështirë. Është më e lehtë të luash për kampion sesa në këto ndeshje. E rëndësishme është që ia dolëm dhe shpresoj të mos gjendemi më kurrë në situata të tilla”.

Presidenca e re – “Ka ndryshuar shumë. Presidenca e re mendoj se i ka ndryshuar gjërat për mirë. Edhe pse ky sezon rrëshqiti, jam i bindur se sezoni i ardhshëm do të jetë një Teutë ndryshe dhe pretendente”.

Nga Final Four te mbijetesa – “Mendoj se pas janarit nuk ishim si në dy fazat e para. Aty nisi rrëshqitja. Pasi humbëm objektivin për vendin e katërt, pashë një motivim shumë ndryshe te skuadra. Ishte shumë e vështirë të motivoheshim dhe për këtë arsye erdhëm në këtë situatë”.

Ndryshimi i formacionit – “Fillimisht këtë e vendosi profesor Hodo, por edhe lojtarët me eksperiencë biseduam të gjithë bashkë. Ishim të një mendimi që të luanim me skemën 3-5-2. Edhe vitin e kaluar profesor Hodo ka qenë në një situatë të tillë dhe ia ka dalë shumë mirë, ashtu si edhe këtë sezon. E vendosëm të gjithë bashkë dhe mendoj se kjo skemë funksionoi. Në sezonet e kaluara kemi luajtur shumicën e kohës me 3-5-2 dhe besoj se kjo ishte zgjidhja më e mirë”.

Tetova trajneri i ri – “Është pritur shumë mirë. Po vjen një trajner që ka fituar shumë trofe dhe mezi po presim të punojmë me të. Vitin që vjen normalisht do të luftojmë për një objektiv tjetër. Të jeni të sigurt për këtë”.

Lojtari i ndeshjes – “Këtë trofe do t’ia jap mamit tim”, u shpreh Kotobelli për “RTSH”. /kfteuta.al/