
Trajneri Enkeleid Dobi u shfaq i zhgënjyer pas barazimit 1-1 kundër Flamurtarit. Duke analizuar ndeshjen, ai u shpreh se rezultati nuk ishte i drejtë.
Barazimi – “Shkëlqimi nuk ishte, por rezultati nuk është i drejtë. Duhet ta kishim luajtur më mirë pjesën e parë; pjesa e dytë nuk ishte ajo Teutë që donim. Ky është futbolli. U thashë që vetëm me goditje standarde mund të na ndëshkojnë. E parandjeva, autogoli dhemb. Dua t’u them bravo çunave për reagimin. Duhet të jemi më cinikë, më të matur, më me eksperiencë. Duhet më shumë përqendrim. Në pjesën e parë kishim idenë dhe aksionet, por vuajmë finalizimin në 20 metrat e fundit”.
Formacioni – “Ekipi që funksionoi me Tiranën nuk u ndryshua. Ishte hera e parë që kemi luajtur dy ndeshje rresht me të njëjtin formacion. Toli nuk u fut në lojë aq shpejt sa e dëshironim. Ishte efikas te krosimi i golit, por nuk më pëlqeu si e interpretuam pjesën e dytë. Na mungoi diçka, që tani për tani nuk e them dot pse. Diçka nuk funksionoi. Po të mos kishte ndodhur autogoli, nuk ishim për barazim”.
Strategjia e kundërshtarit – “Ishim të sigurt që Flamurtari do të luante me katër mbrapa. Flamurtari nuk na rrezikoi në asnjë moment, duhet ta pranojmë. Nuk duhet të jemi të lexueshëm; në çdo ndeshje duam të fusim gjëra të reja. Zakonisht shumica e aksioneve janë nga krahu i majtë. Djemtë kuptohen më mirë me njëri-tjetrin. Vagneri nuk njihet aq mirë me të tjerët, kanë vetëm dy ndeshje bashkë. Duhet të jemi më cinikë dhe t’i zgjidhim më mirë situatat. Duhet të jemi kërkues dhe të vazhdojmë rrugën e ngritjes, pa pasur oshilacione”.
Final Four – “Llogaritë do t’i bëjmë në fund, kanë mbetur edhe 10 ndeshje. Sot donim patjetër fitoren për t’u afruar me Final Four. Fitorja mund të na jepte siguri për të mos parë poshtë dhe për të parë lart. Kampionati shqiptar është i paparashikueshëm; çdo javë ka surpriza. Duhet të kemi vazhdimësi. S’kemi marrë asnjëherë tri fitore rresht. Bravo ekipit për reagimin, sepse këto ndeshje edhe mund t’i humbasësh. Më bëhet qejfi edhe për Dacin”, tha Dobi. /kfteuta.al/



