
Blerim Kotobelli, edhe pse i plagosur në zemër pas humbjes së babait, vendosi ta kthente dhimbjen në forcë dhe të luante kundër Bylisit.
Të gjithë u habitën kur e panë në fushë, por Kotobelli bëri një ndeshje të madhe dhe shënoi golin e fitores 2-1 kundër Bylisit, dhe çfarë goli…
Një goditje e përkryer nga hyrja e zonës, duke mos i dhënë asnjë shans portierit. Emocionet ishin të mëdha pas ndeshjes, dhe Kotobelli nuk i fshehu, ndërsa golin ia dedikoi babait.
Aktivizimi titullar – “Gjeta forcë sepse babai im nuk ka lënë ndeshje brenda në Durrës pa më ndjekur, ishte ai forca që vendosa të luaj. I kërkova trajnerit që do të vij të luaj. Me këtë rast dua të falënderoj presidentin, trajnerin, stafin e tij dhe lojtarët për mbështetjen në këtë moment të vështirë. Këtë gol dua t’ia dedikoj babait tim”.

Rikthimi te fitorja – “Ishim në vështirësi të gjithë, por nuk e kemi merituar të kishim këto rezultate. Kemi bërë shumë ndeshje të mira, por ky është futbolli, është i pamëshirshëm. Mendoj se kjo ndeshje na dha qetësinë për të pasur vazhdimësi. Unë kam besim te kjo skuadër, kam pasur gjithmonë. Ky grup e ka treguar me lojë, por ndoshta me rezultate nuk e ka treguar. Mendoj se ky grup është më i fortë se ai i vitit që kaloi”.
Roli i ri si qendërmbrojtës – “Unë e preferoj tani, për vetë faktin e moshës, që të luaj qendërmbrojtës. Ndoshta mund të jap edhe si mbrojtës i majtë, por ndjehem më mirë si qendërmbrojtës. Ndoshta e teproj pak me topin e gjatë; disa i përdorim në stërvitje me lëvizjen e Boçit që tenton pas shpine, por disa janë nga ana ime. Sot harxhuam edhe shumë energji”.
Goli për babain – “Besoj se atë gol ma ka dhënë ai sot, nuk kam çfarë të them më shumë se jam i prekur. Ju falënderoj të gjithëve”, tha Kotobelli. /kfteuta.al



