Ndalet Teuta, Dobi: Na mungon vetëbesimi, barazimi me Vorën pasqyron tranzicionin tonë!

Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, u shfaq i zhgënjyer për performancën e ekipit në fushë në barazimin 1-1 kundër Vorës. Duke analizuar ndeshjen, Dobi theksoi se futbollistët duhet të gjejnë vetëbesimin për t’u kthyer te fitoret.

Barazimi – “Na mungoi vendosmëria, vetëbesimi, duhet të jemi më cinikë. Sot i duhen dhënë urime Vorës, sepse me të vërtetë në pjesën e parë ishin më të vendosur. Pashë një shpirt gare që ndoshta më parë nuk e kemi parë. Në fushën e vet, dëshira e tyre… këtu humbëm duelin në pjesën e parë, humbëm shumë, sepse kishim mangësi në sulm dhe mbrojtje. Jemi të kënaqur për pikën, por nuk erdhëm për të. Është ndeshja e tetë që nuk fitojmë. Deshëm të reagonim, por nuk reaguam siç duhet. U kam thënë djemve që duhet të kenë vetëbesim, sepse nëse do të të respektojnë të tjerët, duhet të respektosh veten. Këtu kemi një mangësi në këtë pikë. Afrimet e reja nuk janë akoma në atë nivel, sepse dihet që disa lojtarë nuk kanë pasur minuta sa duhet. Por unë besoj te ky ekip dhe te këta djem dhe them se, po të kthehemi te vendosmëria dhe besimi, sepse karakterin e kemi, por nuk kemi stabilitet që ta mbajmë dhe ta tregojmë atë, them që ishte ndeshje për barazim”.

Takimi me tifozërinë pas ndeshjes – “Tifozëria ka kërkesa, ka dëshirat e veta dhe nuk i vëmë faj fare. Të gjithë duam të fitojmë, sidomos ata që presin shumë nga Teuta, siç dihet. Por është proces, kërkon kohë. Ne jemi në rindërtim, i kuptoj sepse kanë parë Teutën që ka treguar vlerat e saj me ekipet e forta. U thamë se duhet pak durim dhe mbështetje, sepse njeriu ka nevojë për mbështetje kur je keq, se kur je mirë gjërat ecin vetë. Jemi në tranzicion”.

Vështirësitë në sulm – “Ne donim ta interpretonim lojën me Arifin mes linjave dhe nuk na shkoi, sepse kishim vështirësi. Duhet t’i jepen meritat Vorës. Kjo është fushë sintetike, e njohin më mirë se ne dhe kishim vështirësi në hapjen e lojës. Nuk dua të nxjerr justifikime, por futëm dy 17-18-vjeçarë. Kemi marrë një projekt që, mbi të gjitha, Teuta të kthehet në ekip solid dhe në vendet e para të klasifikimit, por është tranzicion, ka vështirësi, nuk është e thjeshtë. Ikën 5-6 lojtarë dhe vijnë 5-6 të tjerë. Duhet ritëm, filozofi, harmoni, integrim – të gjitha këto nuk janë të thjeshta. Më kanë ardhur në majë të hundës barazimet, por ndonjëherë, kur nuk mund ta fitosh, duhet edhe të ruhesh dhe të barazosh. Me Partizanin ishim 1-1 dhe në fund e humbëm, sepse morëm gol”.

Presioni nga rezultatet negative – “Unë nuk e ndiej presionin. Me presidencën jam gjithë kohës në kontakt. Puna ime është që çdo ditë ta zhvilloj ekipin dhe të ecim përpara. Jemi në tranzicion, jemi të vetëdijshëm. Po dalim te loja, por mungesat bëjnë të vetën. Kur kishim lojtarët e duhur, kishim edhe rezultate, me automatizmat e duhur. Sot kemi mbrojtjen e dytë më të mirë. Ne duam të sulmojmë, por nuk kënaqemi me barazimet. Më mirë 5 fitore dhe 5 humbje, sesa 10 barazime. Ndonjëherë ka pengesa, mundohemi të mos jemi ne vetë pengesa. Nuk po shkon gjithmonë sipas asaj që meritojmë, por herët a vonë frytet do t’i marrim”, tha Dobi për RTSH pas sfidës. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *