“Më kthyen 30 vite pas”, kritikon Dobi: Për çfarë është VAR?! Jemi të zhgënjyer

Teuta u mposht në “Niko Dovana” nga Egnatia 0-1, për llogari të javës së 18-të të Superiores. Trajneri Enkeleid Dobi u shfaq i zhgënjyer për rezultatin, ndërsa kritikoi arbitrin, duke i cilësuar vendimet e tij me dy standarde.

Disfata – “Për mënyrën si e interpretuan lojën jam i kënaqur. Besoj se i vetmi ndryshim ishte se Egnatia ishte më cinike se ne dhe kishte më shumë eksperiencë. Djemtë dhanë maksimumin. Para festave ishim me humor të mirë. E kam përsëritur, puna e trajnerit është të shkosh deri te zona, më pas lojtarët të marrin vendimet e duhura, të jenë më cinikë dhe efikasë. Sot pamë Teutën që duam të shohim, përveç golave që janë më kryesorët. U ndëshkuam nga një episod që e kishim paralajmëruar. Duhet të jemi më të vëmendshëm. Kemi shumë raste që duhet të përfundojnë me gol. Më vjen keq, pasi nuk dua t’i fajësoj lojtarët”.

Gjykimi – “Më kthyen 30 vite mbrapa. Vendimet janë me dy standarde, shikoni mirë kush është në VAR. Mendoj se nuk ka qenë pozicion jashtë loje dhe loja do të kishte tjetër rrjedhë. Dua t’i tërheq vëmendjen arbitrit që nuk duhet të ketë dy standarde. Shënon, bëhet 1-0 dhe gjithçka ndryshon. Flasim për futboll dhe na vjen jashtëzakonisht keq. Jemi të zhgënjyer edhe sepse nuk ishim efikasë”.

Goli i pësuar – “Vetëm një top morëm pas shpine dhe aty u realizua goli. Nuk kishim ekuilibrin dhe komunikimin e duhur. Na dhemb. Edhe në pjesën e dytë kishim të njëjtin ritëm. Po flasim për Egnatian, nuk luajmë me një ekip dosido. Ne si Teutë nuk e kemi luksin e Egnatias për të bërë 5-6 ndërrime. Fajësoj veten në kuptimin e mirë, sepse kjo ndeshje nuk duhej humbur, vetëm nga një episod. Me mënyrën si e kishim përgatitur lojën, pjesën e parë duhet ta mbyllnim 2 ose 3-0 për ne. Ky është futbolli. Jam i sigurt dhe me vetëbesim se jemi në rrugën e duhur. Duhet të ndryshojmë disa detaje dhe të jemi më cinikë”, u shpreh Dobi për “RTSH”. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *