
Talenti Grei Kuqi është ‘produkti’ i radhës i Akademisë që i bashkohet ekipit të parë. Trajneri Enkeleid Dobi, duke parë përkushtimin dhe talentin e tij, vendosi ta ftojë me ekipin e parë sulmuesi e krahut në ndeshjen kundër Tiranës.
Grei Kuqi ka lindur më 18 nëntor të vitit 2008 dhe debutoi me ekipin e parë në moshën 17 vjeç e 26 ditë, në barazimin 1-1 kundër Tiranës, për llogari të javës së 16-të të Superiores.
Dobi, meriton një kompliment për aktivizimin e tij, pasi në një moment krucial të ndeshjes vendosi të hedhë në fushë një lojtar të akademisë.

Grei Kuqi u aktivizua në minutën e 85-të dhe mori vendin e një tjetër talenti të dalë nga akademia, Ergis Arifi, i cili ishte nominuar për trofeun “Talenti i Vitit”.
Aktivizimi i tij në një moshë kaq të re tregon se klubi ka prioritet të rinjtë dhe kërkon t’i promovojë në sallonet e mëdha të futbollit shqiptar.
Kuqi tregoi siguri në fushë, duke e kaluar me sukses debutimin dhe, në ato pak minuta, shfaqi sinjale pozitive.
Aktivizimi i Kuqit është gjithashtu një mesazh për të rinjtë e Akademisë se ai që jep çdo ditë më të mirën në stërvitje e ka të hapur derën e ekipit të parë. /kfteuta.al/

