Dobi: Fitorja në Shkodër, një film jashtëzakonisht i bukur! Mundëm më të mirët!

Teuta zhvilloi një ndeshje fantastike në Shkodër, duke mundur Vllazninë 1-0 dhe i zbriti nga kreu i kampionatit.

Ekipi zhvilloi një paraqitje solide, tregoi vlera dhe karakter, përballë një kundërshtari të fortë.

Trajneri Enkeleid Dobi u shfaq i lumtur për fitoren dhe përgezoi ekipin për performancën, por nuk munguan edhe disa thumba për sulmuesit.

Fitorja – “Është e njëjta Teutë që kemi parë që nga ndeshja e parë, por po rritemi, e kemi thënë. Kemi bërë edhe ndeshje të tjera të mira, si në Elbasan e me Tiranën, por finalizimi na ka munguar, si edhe sot. Nga mënyra si e kishim përgatitur ndeshjen, si e interpretuan lojtarët — se ata janë aktorët, ne jemi regjizorët — mendoj se ka dalë një film jashtëzakonisht i bukur sot dhe mendoj se ia dolëm. Sot treguam shumë gjëra: shpirtin e garës, treguam luftë sportive, organizim loje, presing të lartë, treguam si ta befasojmë kundërshtarin. Luajtëm me liderin; nëse do të jesh mes më të mirëve, duhet të fitosh me më të mirët. Ne sot e treguam, edhe me dëshirë, edhe me lojë, e të gjitha”.

Rastet e humbura – “Meritë e jashtëzakonshme çunave, mënyrën si e interpretuan, mënyrën si e transmetuan gjithçka në fushë. Mund të shënonim më shumë; rastet i kishim dhe më vjen keq për golin e anuluar. Mendoj që duhet të jemi pak më të saktë te këto, sepse këto detaje bëjnë ndryshimin. Me 1-0 pastaj do ta kishim lojën nën kontroll. Mendoj që luajtëm me ekip jashtëzakonisht të mirë. Ne jemi duke u rritur, edhe çunat po thithin gjërat që u japim dhe po interpretojnë në mënyrën më të mirë”.

Presing i kundërshtarit – “Ndonjëherë edhe Vllaznia mori më shumë përsipër, lamë pak, ndonjëherë lamë presingun e lartë. Me top të gjatë na vunë në vështirësi; ishim të detyruar të zbrisnim vetvetiu. Nuk po them që do na kënaqte barazimi, do gënjeja, por si po rridhte loja, rastet më shumë i kishim ne dhe e meritonim fitoren. Duhet ta pranojmë këtë. Mënyra si e interpretuan djemtë: duhej të shënonim një gol tjetër. Vllaznia na vuri në trysni, sepse është një nga kandidatët për titull. Ne themi që do mundohemi të tregojmë futboll dhe vlerat tona. Çdo ndeshje jemi duke u rritur. Ka edhe aksidente rrugës, por mënyra më e mirë si po përgjigjet ekipi pas humbjes me Partizanin është reagimi më i mirë. Nuk kemi çfarë t’i kërkojmë më shumë. Kërkojmë të jemi më efikas në 20 metrat e fundit, zgjedhjet t’i bëjmë më të sakta, të jemi më cinikë”.

Gara për titull – “Luajtëm ndaj kryesuesve dhe thashë për mënyrën se si Vllaznia deri në këto momente ka qenë lider, ka cilësi, ekip dhe trajner me eksperiencë. Pastaj ne jemi me këmbë në tokë, jemi duke u rritur, avash-avash po marrim shkallët një nga një, çdo ditë e ndeshje. Kemi edhe problemet tona që dalin në pah, por mënyra si çunat po e transmetojnë në fushë, jemi jashtëzakonisht të kënaqur si klub e staf. Në fushë pastaj është diçka tjetër. Pretendent, pastaj, unë kam respekt, por në fushë, kur futem, respektoj veten time”.

I kuqi – “Duhet të pranoj; kur ta shoh. Sa pata mundësi ta shoh, nuk është faull, gjest, mënyra si interpretohet. Na vjen keq, po shënojmë, kemi mundësi, disa situata… Nuk kam qejf të bëj alibi apo të vë fajin, se nuk kam zakon dhe as kulturë të merrem me arbitrin; nuk do merrem as sot. Fitorja është fitore në një fushë të vështirë. Por themi që jemi të kënaqur. Deri tani kemi akoma punë përpara, edhe do punojmë dhe pastaj të bëjmë llogaritë në fund”, tha Dobi për RTSH. /kfteuta.al/