
Teuta u ndal në një barazim 0-0 kundër Dinamos, në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, për llogari të javës së 10-të të Superiores.
Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, mendon se skuadra luajti mirë përballë Dinamos edhe në një ditë kur ekipi nuk ishte në maksimumin e tij.
“Nuk ishte ndoshta dita jonë më e mirë, komplet si ndeshje. E kishim përgatitur ndryshe dhe prisnim që të ecnim përpara me një filozofi që të impononim lojën. Por ka edhe kundërshtar, i duhen dhënë meritat Dinamos. Mendoj që sot pamë një Dinamo të vërtetë, sepse nuk mund ta themi kur luajtëm 10 kundër 11. Është një ekip jashtëzakonisht i balancuar, me ekuilibër, koncept dhe automatizma. Ne jemi në proces dhe nuk duhet të themi vetëm se po rritemi, por prisja më shumë nga ekipi, nga mënyra si kishim zgjedhur konceptin për të goditur Dinamon. Nuk funksionoi siç duhet, duhen marrë përgjegjësitë, por jemi të kënaqur sepse ishte një ndeshje për 0-0. Të dy skuadrat kishin raste, por me volumin e lojës ishte tamam për 0-0. Fillimi ishte i mirë, por pastaj lojtarët e menaxhojnë vetë, janë kushtet, kundërshtarët… Jam i kënaqur si e menaxhuam lojën.
Me kartonin e kuq duhej të bënim më shumë dhe ekipi duhej ta menaxhonte më mirë, të ishte më cinik. I dhamë Dinamos mundësinë që edhe me 10 lojtarë të kishte vetëbesim. Duhej të tentonim më shumë dhe të ishim më agresivë. Mos harrojmë që fituam edhe ne me 10, nuk do të thotë gjë. Ndoshta na futi pak në gjumë kartoni i kuq, ndoshta menduam që mund ta menaxhonim ndryshe. Duhej të funksiononim më mirë, të krijonim më shumë lojë, të ishim më cinikë. Kishim dy situata të Beshirajt, por nuk ishte ajo që kërkojmë të shfaqim në fushë. Kur je 10 me 11 duhet menaxhuar ndryshe, të jesh më i matur, më kërkues, të fusim marshin e gjashtë dhe të shtatë, të mos luajmë me të njëjtin ritëm e strukturë, të krijonim më shumë raste për gol dhe të ishim më agresivë.
Duhet të them që gjatë kësaj jave na iku shtylla kurrizore me Gomez, Votlai dhe pastaj Vidal. Kur ikën shtylla kurrizore, trupi ndjehet, nuk është më aq i shëndoshë. Por është një grup, një shans që djemtë të tregojnë vlerat. Nuk janë në ritmin e lojës si Gomez, Votlai e Vidal që është organizatori. Arifi po rritet, i japim mundësitë, ka perspektivë, nuk ka pse të qahemi. Por Arifi duhet të ketë stabilitet e vazhdimësi, sepse mendoj se është e ardhmja për Teutën dhe Shqipërinë,” tha Dobi për RTSH pas ndeshjes./kfteuta.al/



