Vllaznia e fortë për Teutën, Dobi: Na mungoi qetësia në sulm!

Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, theksoi se humbja ndaj Vllaznisë ishte pasojë e keqinterpretimit të minutave të para, si edhe e mungesës së finalizimit para portës kundërshtare.

Humbja – “Duhet të fillojmë duke i bërë urime Vllaznisë për fitoren, por duhet pranuar që në 10 minutat e para nuk ishim siç donim, siç e kishim përgatitur ndeshjen. Kjo na dhemb pak, por kishim kohë të mjaftueshme të reagonim. Mendoj që ekipi donte të reagonte, por nuk ishin të qarta disa veprime apo lëvizje. Më vjen keq, sepse nuk e kuptoj për çfarë arsyeje jemi pak nervozë. Në ato minuta ishim shumë nervozë, gjë që nuk e kam parë më parë te ekipi, dhe kjo më dhemb më shumë. Përballë ishte ekipi më në formë, lider, kandidat për titull. Në ndeshjen e dytë ndaj tyre në Shkodër e kishim përgatitur mirë dhe funksionoi. Sot nuk funksionoi për 15 minuta. Bëmë ndryshime dhe rastet i krijuam, kemi dalë disa herë, por veprimet duhej të ishin më të qeta dhe më të sakta. Kishim edhe një rast 100% me Runin, që do ta ndihmonte edhe atë, edhe ekipin. Ekipi tentoi, vrapoi, luftoi, por duhet të jemi më të qetë me topin, më prezentë, më këmbëngulës. Jam i sigurt se ky ekip ka më shumë cilësi sesa po tregojmë së fundmi”.

Efikasiteti në sulm – “Vllaznia ishte përgatitur në një mënyrë tjetër, ndoshta ne nuk u përshtatëm menjëherë në ato minuta, ndaj bëra edhe pushimin taktik që të bënim lëvizjet e duhura. Ne filluam të reagojmë, por jo siç donim. Tentuam, prodhuam lojë, por mungon konkretizimi, cinizmi, vendosmëria, sidomos në 20 metrat e fundit: të jemi më të vendosur, të kërkojmë golin dhe situatën. Krijuam disa raste, ndoshta me pikatore, por e vumë edhe në trysni Vllazninë. Duhet pranuar që po luajmë ndaj një ekipi që ka cilësi”.

Merkato – “Kemi pasur ndryshime dhe ndonjëherë duhet të presësh automatizmat. Të rinjtë duan kohën e vet, ndoshta janë edhe pak konfuzë, nuk njihen aq mirë me njëri-tjetrin, me cilësitë, kualitetin dhe lëvizjet. Duhet pak kohë dhe për këtë arsye na mungonin këto veprime. Mendoj që prodhuam lojë, por në fazën sulmuese nuk jemi konkretë: mungon sinkronizimi, koha e duhur, vendi i duhur, të gjitha veprimet. U fola të gjithëve, duke nisur nga portieri, sepse u futëm në tension. Ky është futbolli: mësojmë, ecim përpara, gabojmë”, tha Dobi për RTSH. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *