Teuta vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Vorën në Kupë

Teuta vijon përgatitjet në terren nën drejtimin e trajnerit Enkeleid Dobi dhe stafit të tij për premierën e Kupës së Shqipërisë.

Në raundin e 1/8, kundërshtar i bregdetarëve do të jetë Vora, një ekip ndaj të cilit Teuta ka treguar performanca pozitive në të kaluarën. Në tre ndeshjet e luajtura më parë, Teuta ka regjistruar dy fitore dhe një barazim ndaj ekipit të Bellait.

Sfida e së shtunës është tepër e rëndësishme për klubin, pasi Kupa mbetet një objektiv kryesor, por gjithashtu shërben edhe si dritare për të siguruar pjesëmarrjen në kompeticionet europiane.

Trajneri Dobi synon të nisë vitin 2026 me fitore dhe gjatë seancave stërvitore është fokusuar më shumë në fazën sulmuese, repart, i cili ka vuajtur gjatë gjysmës së kampionatit.

Ndërkohë, Dobi pret edhe përforcime nga merkato, pasi bashkëpunimi me futbollistët Çyrbja, Zela dhe Renaldo Torraj ka përfunduar, ndërsa Gomes u shit në Japoni për një shifër të rëndësishme.

Ndeshja Teuta-Vora do të zhvillohet më 10 janar, duke nisur nga ora 16:00, në stadiumin “Niko Dovana”. /kfteuta.al/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *