
Teuta e ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer në Superiore, duke qenë ekipi i vetmi që nuk e njeh humbjen, ndërsa ka pësuar vetëm dy gola. Një ndër protagonistët e ekipit është portieri Gentian Selmani, i cili është rikthyer si dikur në nivelet më të larta. Në një intervistë për “Kubi Sportiv” me gazetarin Drilon Xhepollari në “Euronews Albania”, Selmani tregoi situatën nga brenda ekipit.
Forma aktuale – “Ne punojmë shumë, është meritë e ekipit, mbrohemi dhe sulmojmë bashkë. Puna e mirë që po bëjmë me trajnerin dhe harmonia e ekipit po sjell rezultate të mira. Te Tirana kam pasur një situatë ku isha një vit pa luajtur më pas një rikthim, jo më i miri i mundshmi, por një rikthim nga ku akoma po mësoj dhe po e analizoj se çfarë kam gabuar”.
Atmosfera në Durrës – “Tifozët janë afruar nga ndeshjet e mira dhe rezultatet, në Durrës kemi bërë gjithmonë ndeshje të mira këtë sezon. Dobi, trajneri ynë ka një mentalitet europian, punon shumë edhe nga ana psikologjike”.
Premiot – “Nuk kanë munguar nga presidenca, por nuk është ky qëllimi dhe vëmendja jonë, ne bëjmë ndeshjen, kur fitojmë mund të vijë premio, por gjithë fokusi ynë është te ndeshja”.
Fitorja e Shqipërisë në Serbi – “Në Andorra do vendoset gjithçka, urojmë që të fitojmë aty dhe të marrim vendin e dytë, kam folur me çunat dhe i kam uruar”, tha Selmani.
Pas barazimit në transfertë me Tiranën, Teuta po përgatitet për ndeshjen e radhës kundër Flamurtarit, që do të zhvillohet të shtunën në orën 17:00 në stadiumin “Niko Dovana”. /kfteuta.al/



