
Teuta zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në stadiumin “Niko Dovana” përballë Elbasanit, por në fund nuk shkoi më tepër se barazimi 0-0.
Bregdetarët patën disa raste të pastra për gol, por fati nuk ishte në anën tonë, me topin që u ndal edhe në shtyllë.
Pas ndeshjes, trajneri Enkeleid Dobi deklaroi se Teuta meritonte ta fitonte takimin për atë që krijoi.
Barazim – “Jam krenar për ekipin, treguam vlerat. Luajtëm me liderin, kam respektin më të madh për mënyrën si po sillen në fushë lojtarët. Na vjen keq për 2 pikët e humbura, por ky është futbolli: nuk merr atë që meriton, por atë që punon. Me gjithë respektin për Elbasanin, mund të kishim fituar 2-0 ose 3-0 sot dhe atëherë do të flisnim ndryshe”.
Filozofia e Teutës – “Kjo është një provë e mirë për ekipin, për vlerat që po tregojmë në fushë. Po mbajmë stabilitet dhe vazhdimësi, nuk është rastësi vetëm një ndeshje. Duam të luajmë futboll dhe të tregojmë cilësi. Dihet që Teuta ka filozofinë dhe konceptin e saj, që nuk e ndërrojmë për asgjë. Do të jemi fleksibël se si e zgjidhim lojën, taktikat, ashtu siç bëmë me Vllazninë me presing të lartë. Duam të tregojmë lojë të bukur dhe të kënaqemi me punën që bëjmë. Donin të na befasonin, por ne i shfrytëzuam mundësitë që u krijuan”, tha Dobi. /kfteuta.al/



