
Teuta mori një fitore tepër të rëndësishme në Shkodër, duke mundur 1-0 Vllazninë dhe theu tabunë në stadiumin “Loro Boriçi”, ku kishte vite pa fitore.
Skuadra tregoi karakter, organizim dhe vendosmëri, duke marrë maksimumin në një ndër fushat më të vështira të kampionatit.
Pas mbylljes së javës së 13-të, trajnerët e ekipeve kombëtare kanë zgjedhur formacionin më të mirë, sipas skemës 4-2-3-1 dhe Teuta është një nga skuadrat më të përfaqësuara.

Në mesfushë është zgjedhur Xhoeli Maçolli, ndërsa në repartin e sulmit David Fadario, të dy pas një performance të shkëlqyer në javën e fundit.
Ndërkohë, për lëvizjet e tij perfekte dhe fitoren e bujshme në Shkodër, Enkeleid Dobi është shpallur trajneri më i mirë i javës së 13-të.

Strategu durrsak vlerësohet për qasjen taktike dhe menaxhimin e zgjuar të ndeshjes duke bërë ndrrimin e artë me Beshirajn.
Teuta e javës së 13-të konfirmon se është një skuadër në rritje të vazhdueshme dhe një pretendente serioze në çdo javë të kampionatit. /kfteuta.al/



