Dobi i zhgënjyer: Nuk e meritonim humbjen, kthehemi më të fortë

Teuta pësoi humbjen e parë në kampionat nga Egnatia, që fitoi 1-0 në “Arena Egnatia”.

Ndeshja ishte shumë e luftuar dhe Teuta e kërkoi me insistim golin, por në fund rastet e krijuara nuk u konkretizuan.

Trajneri Enkelejd Dobi u shfaq i zhgënjyer për humbjen, ndërsa theksoi se duhej të kishin bërë më mirë.

Disfata në “Arena Egnatia” – “Nuk e kishim menduar humbjen sot, por ja që erdhi. Donim ta kalonim fazën e parë pa humbje, por ky është futbolli. Ishte ndeshje për 0-0, por bëmë një gabim. Tregoi që po nuk patëm disiplinën, ekipe si Egnatia shënojnë. Por është një mësim. Luajtëm me një ekip kampion, treguam vlerat tona, që ekipi i Teutës po rritet dhe me një ekip si Egnatia që ka stabilitet, vazhdimësi. Ne jemi në rritje, kjo ishte sprovë për ne, që na jep më tepër shpresë. Folëm me çunat, mënyra më e mirë të reagojmë me Dinamon. Ditën e diel do hyjmë me të njëjtën dëshirë. Të kemi balancë, kur sulmojmë të mendojmë edhe si të mbrojmë.”

Një formacion ndryshe – “Në mesfushë mund të bëjmë rotacion. Sot donim të luanim për Dokën. Ky është futbolli. Menduam çfarë ishte më e mira sepse funksionoi me Flamurtarin. Lodhja bën të veten, por nuk dua të gjejmë justifikime. Treguam më shumë respekt se duhet në fillim të ndeshjes. Me kalimin e kohës them se morëm kontrollin e ndeshjes. Me idenë dhe konceptin që mundohemi çdo ditë, është Teutë që po rritet. Është mësim.

Presingu – “Lojtarët e duan vetë, unë u them ta menaxhojnë, më kryesor është kompakti dhe ekuilibri. Kjo pak në minutat e para nuk ishte si e duam, por pastaj me kalimin e kohës e treguam. Kemi treguar se 90 minuta luajtëm me presing të lartë dhe Egnatia u mundua vetëm me topa të gjatë.”

Humbja e parë – “Sot është humbja që dhemb, erdhi në një moment që nuk e meritonim me lojën që paraqitëm. Në futboll ndonjëherë nuk merr atë që meriton, por do marrësh atë që punon. Me kalimin e kohës do shohim një Teutë më solide dhe kompakte. Na vjen keq që në dy ndeshjet e fundit kemi marrë tre gola, kur në shtatë ndeshjet e tjera dy gola. Këtu duhet të jemi më kërkues me veten, por jo të ashpër. Tani nuk kemi shumë kohë, më e mira që me Dinamon të kthehemi të dielën te fitorja. Më vjen keq, por ky është futbolli.”

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *