
Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, u shfaq i zhgënjyer pas humbjes befasuese 2-3 ndaj Partizanit, në “Niko Dovana”.
Humbja – “Në gjuhën e sportit quhet aksident. Në pjesën e dytë bëmë më shumë gabime se gjatë gjithë sezonit. Nuk arritëm të bënim gjithçka si zakonisht. Do ta analizojmë me stafin. Mund të ishte 3-1 për ne, por pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Në fillim secili ekip kërkon të tregojë stilin e lojës. Pjesën e parë mund ta kishim përfunduar 3-0. Pastaj u futëm në një presion që nuk mund ta shpjegoj dot. Sot bëmë shumë gabime dhe ne marrim përgjegjësinë e plotë. Goli i parë i Partizanit u dha zemër. Nëse do shënohej penalltia jonë, ndoshta do flisnim ndryshe. Humbja iku dhe nuk e ndryshojmë dot”.
Ekip pa grint në pjesën e dytë – “Në 10 javët e kaluara kemi qenë një ekip tjetër, agresiv dhe i vendosur. Duhej të menaxhonim më mirë pjesën e dytë dhe të ishim më cinik. Sulmuesit duhet të shënojnë gola. Ekipi i dha besim Zelës, por ndodhi. Edhe lojtarët si Messi e Maradona kanë humbur penallti; është pjesë e lojës. Tani duhet të ngrihemi, të punojmë më shumë dhe të përmirësojmë finalizimin. Pres që sulmuesit të punojnë më shumë, ndërsa ne do të vazhdojmë të analizojmë dhe përmirësojmë gjithçka. Futbolli është i tillë, duhet ta kalojmë dhe të vazhdojmë përpara”, tha Dobi. /kfteuta.al/



