
Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, u shfaq tepër i lumtur për fitoren 1-0 kundër Tiranës, e cila ishte e dyta radhazi.
Triumfi – “Rregulluam disa gjëra, mes tyre daljen me topa të shpejtë. Është gjë tjetër t’i flasësh dhe gjë tjetër t’i zbatosh; merita është e çunave që i interpretuan në mënyrën më të mirë. Motoja jonë ishte ekip solid, nuk duhet t’i linim asnjë rast Tiranës, por i lamë një me Tabekun, ishte gabim i yni. Fitorja do të na japë qetësi dhe pjesën e dytë ia jap meritat ekipit. Kjo është ndeshja jonë më e mirë; duhet të ishte mbyllur 2-0 ose 3-0.”
Skema kundër Tiranës – “Puna gjithmonë paguhet, kthehet. Jemi përgatitur me dy mënyra për Tiranën. Donim të ishim solidë dhe, me kalimin e kohës, t’i fusnim marshin. Bëmë disa zgjedhje, e rritëm agresivitetin. Arifi bëri një pjesë të dytë të jashtëzakonshme, aksioni i tij ishte perfekt, gjynah që nuk bëri gol. Puna na jep kënaqësi. Kam mbajtur strukturat, kam qenë konsistent në mënyrën e lojës. Drejtuesit na dhanë besimin për mënyrën si zgjodhëm të luanim. Jemi të gjithë bashkë, në të mirë dhe në të keq; duhet ta mbajmë këtë rrugë.”

Sfida me Flamurtarin – “E dini mirë ku ishim, nuk duhet të fluturojmë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Shohim ndeshjen me Flamurtarin; me kalimin e kohës do t’i bëjmë llogaritë në fund. Kemi ndërruar gomat, jemi futur përsëri në korsi, kemi filluar duke ecur, duke i dhënë gaz”, tha Dobi. /kfteuta.al/



